Tiranë- Jo pak njerëz janë shtangur sot në oborrin e Spitalit Ushtarak, kur nga makina e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u shfaq një djalë i vogël rom.
Me këmbën në allçi, ai u drejtua për nga dera e spitalit për herë të dytë brenda pak ditësh.
Elidoni i vogël, 2 vjeçar, është fëmija i aksidentuar më 31 gusht në rrugën përballë pallatit me shigjeta, aty ku prej më shumë se pesë javësh familjet rome kanë ngritur çadrat pasi u dëbuan nga trualli i ish-Dekorit, ku edhe jetonin prej vitesh.
Veliaj e kishte njohur Elidonin gjatë vizitës që kreu në ditën e tij të parë të punës tek 37 familjet e shpërngulura rome.
Nëna e Elidonit i qe ankuar se e kishte çuar djalin për vizitë në spital, por që andej kishte dalë e përbuzur dhe pa mjekim.
Dy ditë më pas, Veliaj duket se e ka mbajtur premtimin.
Ai e ka marrë në makinën e tij Elidonin dhe e ka shoqëruar personalisht në Spitalin Ushtarak, ku fëmija mori trajtimin e munguar mjekësor.
Veliaj u shoqërua edhe nga deputeti i PS-së, Ylli Ziçishti, ish- shef i Urgjencës.
Ministri i MSR-së ka premtuar zgjidhje të shpejtë për sistemimin e familjeve rome, të cilat ende sot jetojnë në kushte jo normale./tema/