Lajme Shqip Monday, 12 September 2011 13:43

Tiranë (PLOTËSUAR 15:44) – Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, u shpreh sot, në konferencën për shtyp, pas takimeve me drejtuesit më të lartë politikë të vendit se, Shqipëria ka nevojë për një pakt politik për të arritur Evropën, ashtu siç e arriti për integrimin në NATO.

Sipas tij, ky pakt s’mund të diktohet prej ndërkombëtarëve, ai duhet të diktohet nga shqiptarët. “Nëse kjo ndodh atëherë Shqipëria ka shumë shanse që sa më shpejt të jetë një anëtare e BE”, tha Frattini.

“Qëllimi ynë është të mbështesim vendin që duam. Kemi punuar gjatë gjithë kohës dhe kemi ardhur këtu për t’u takuar me krerët e vendit, për t’iu mbështetur juve”, tha Frattini.

“Kam qenë këtu për herë të fundit kur kam qenë zv/president i Komisionit Evropian për të lançuar  procesin e liberalizimit të vizave. Një gjë ,që u tregua qartë, është që Shqipëria bëri përpjekjet e duhura për një arritje të madhe siç ishte liberalizimi i vizave”, tha Frattini.

“Duam që Shqipëria të jetë pjesë e BE, jo vetëm për Brukselin, por sepse duam me të vërtetë që të jetë pjesë e saj. Fatkeqësëisht kemi humbur një vit dhe tani duhet të përfitojmë nga koha e humbur”, u shpreh ai.

Sipas Frattinit, integrimi në BE, duhet të bëhet objektivi kryesor i Shqipërisë. “Për këtë do të duhet funksionim i duhur i parlamentit dhe ekuilibri i duhur mes forcave politike”, theksoi ai.

“Nëse angazhimi politik, nuk do të reflektohet në veprime të duhura nuk do të ketë asgjë pozitive në raportin e ardhshëm të KE dhe kjo është ajo që duam ta shmangim”, tha Frattini.

Sipas tij, “mbeten rekomandimet nga OSBE-ODIHR për reformat. A mund të zbatohen? Them se po. A është e mundur të rifillojnë takimet e komisonit parlamentar për çështjet  e integrimit? Mendoj se po. A është e mundur që të dyja palët si qeveria dhe opozita të bien dakord për emërimet e nivelit të lartë si psh Avokati i popullit? Mendoj se po”, përfundoi Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini.

**********************************

Tiranë (PLOTËSUAR 15:24)- Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis, theksoi në sot në një konferencë për shtyp, pas takimeve me drejtuesit më të lartë politikë të vendit se, Shqipëria e ka të qartë objektivin e saj drejt të ardhmes evropiane.

“Një gjë është tepër e qartë nga takimet e shkëlqyera që patëm sot, që përsa i përket të ardhmes së saj evropiane, Shqipëria e ka këtë objektiv të qartë, i cila i bashkon të dyja palët si mazhorancën edhe opozitën”, tha Lambrinidis, i cili shtoi se, “ashtu siç na është thënë nga të gjithë, ky objektiv është edhe i shumicës dërrmuese të popullit shqiptar”.

“Ne jemi këtu të përfaqësojmë Bashkimin Evropian. Gjithashtu gjendemi këtu si përfaqësues të Greqisë dhe Italisë, të cilat janë mbështetës të fortë e të përzemërt të Shqipërisë dhe të së ardhmes së saj evropiane”, tha ministri i jashtëm grek.

“Mesazhi që iu dërgojmë sot është që ka ardhur koha për një bashkim kombëtar për rrugën tuaj drejt evropës”, tha Lambrinidis.

Sipas tij, tashmë që zgjedhjet përfunduan dhe parlamenti rifilloi punën e vet konstruktive, vëmendja e politikanëve shqiptarë duhet të jetë tek 12 prioritetet e Komisionit Europian.

“Reforma elektorale, reforma parlamentare, respektimi i të drejtave civile dhe të minoriteteve, lufta ndaj krimit të organizuar, transparenca, funksionimi i parlamentit janë disa nga kërkesat e KE dhe kemi mbetur të kënaqur që kemi parë se këto janë edhe në fokusin e palës shqiptare për të promovuar të ardhmen evropiane”, tha Lambrinidis.

Sipas tij, ligjet e duhura dhe aplikimet e duhura të ligjeve janë kërkesat e Komisionit Europian.

“Ne në Europë, në KE, në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE, jemi të mendimit që Shqipëria në fakt i ka të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që të arrijë të plotësojë rekomandimet që kërkohen nga BE”, u shpreh Lambrinidis.

“Në vitin 2003 në Samitin e Selanikut, pat filluar prespektiva evropiane për të gjithë rajonin. Arritjet e Shqipërisë si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në NATO janë prova që Shqipëria ka mundësitë që të ketë të ardhme evropiane”, theksoi ai.

Sipas Lambrinidis, “Procesi i së ardhmes është e vështirë. Ai ka nevojë për përgatitje rigoroze, bashkëpunim konstruktiv mes forcave politike dhe konsensus”.

Ju garantojmë që në këto reforma do të jemi në anën tuaj dhe do t’iu mbështesim në të gjithë projektet tuaja që të arrijmë ëndrrën tuaj dhe ëndrrën tonë”, përfundoi Ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Lambrinidis.

**************************************

Tiranë – Kryeministri Berisha u takua sot me Ministrin e Jashtëm të Italisë, zotin Franco Frattini dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë zotin Stavros Lambrinidis.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen të dy ministrave dhe e konsideroi vizitën e tyre si një moment të rëndësishëm për vendin dhe prespektivën e tij evropiane.

Kryeministri gjithashtu shprehu falenderimet për të dy vendet mike dhe qeveritë e tyre për ndihmën e dhënë për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri dhe në proceset integruese si antarësimi në Nato, heqja e regjimit të vizave dhe procesi i integrimit në BE.

Të dy ministrat shprehën kënaqësinë për vizitën dhe e siguruan kryeministrin se të dy vendet që ata përfaqësojnë, Italia dhe Greqia, janë jo vetëm fqinj të mirë por dhe miq dhe aleatë të mëdhenj të Shqipërise në procesin e integrimit evropian.

Ata theksuan se vizita e tyre vjen në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit të Shqipërisë dhe synon të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

Në këtë kontekst kryeministri Berisha vlerësoi se kjo vizitë është një ndihmë e madhe dhe i siguroi të dy ministrat se projekti i integrimit evropian ka qenë, është dhe do të jetë projekti më madhor për shqiptarët dhe e tërë puna e qeverisë dhe e institucioneve shqiptare është e fokusuar në realizimin e këtij projekti dhe në plotësimin e 12 prioriteteve të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian.

Duke theksuar se 12 prioritetet e përcaktuara në opinion përbëjnë axhendën e punës së qeverisë shqiptare, kryeministri i njohu të dy ministrat me punën dhe arritjet e qeverisë në zbatim të këtyre prioriteteve si dhe në përmbushjen e një sërë reformash të tjera me rëndësi në funksion të këtij procesi.

Kryeministri shprehu vullnetin e plotë të qeverisë dhe të mazhorancës së drejtuar prej tij për të bashkëpunuar me opozitën në përmbushjen me konsensus të të gjitha prioriteteve si dhe për të votuar bashkarisht të gjitha ligjet apo vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Kryeministri theksoi se bashkëpunimi dhe jo bllokimi janë mënyra më e mirë për çuarjen përpara të interesave të vendit dhe integrimin e tij në BE. Ai mirëpriti kthimin e opozitës në Parlament duke shprehur dëshirën që kjo të shënojë rikthimin e dialogut politik brënda këtij institucioni.

Të dy ministrat pasi e falenderuan kryeministrin për vullnetin e qartë në drejtim të integrimit në BE shprehën shpresën se institucionet dhe aktorët politik shqiptarë, në mazhorancë dhe opozitë, do të konkretizojnë në kohë, hapat konkrete të nevojshëm në funksion të integrimit evropian.