Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 11:08

Tiranë – Minatorët e Bulqizës prej 11 ditësh në grevë urie, shpresojnë të arrijnë marrveshjen me përfaqësues të ACR-së.

Sipas burimeve zyrtare, përfaqësues të firmës ACR pritet të shkojnë sot në Bulqizë për t`u ulur në tryezë me kreun e konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla dhe me kryebashkiakun Roland Keta pas ftesës së këtij të fundit për të nisur bisedimet mes palëve.

Përfaqësues të firmës deklaruan se janë të gatshëm të ulen në një tryezë me minatorët për të negociuar lidhur me kerkesat e tyre, ndërkohë që edhe minatorët nga ana tjetër janë shprehur gjithmonë të gatshëm për t’u ulur në bisedime me përfaqësuesit e ACR-së, për të gjetur një zgjidhje në lidhje me problemet e tyre.

Minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e 11-të të grevës së urisë dhe gjendja e tyre shëndetësore është mjaft e rënduar. Dy ditë më parë, dy minatorë kanë lënë grevën për shkak të rëndimit të gjendjes së tyre shëndetësore, ndërsa pas daljes së tyre, aktualisht në thellësinë 1400 metra nën tokë vazhdojnë grevën e urisë 13 minatorë.

Minatorët kërkojnë rritje të pagës në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.