Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 13:46

Tiranë – Minatorët e Bulqizës së bashku me familjarët e tyre dhe bashkëqytetarët, janë mbledhur sërish sot përpara zyrave të kompanisë Austriake ACR.

Ata vazhdojnë të theksojnë vullnetin e tyre për të nisur sërish grevën, në rast mos plotësimit të kërkesave nga ana e kompanisë “Albania Crom”. Ndërkohë që burime konfidenciale brenda ACR kanë bërë me dije se administratori i saj, Giga Beindizhvili, i cili ndodhej në Bulqizë prej disa ditësh, është larguar jashtë vendit.

Beindizhvilli përpara largimit të tij u ka kërkuar minatorëve të firmosin marreveshjen e cila do të plotësonte kërkesat e tyre, por pa praninë e presidentit të Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, kërkesë kjo e cila u hodh poshtë menjëherë nga minatorët, të cilët theksuan se Nikolla është përfaqësuesi i tyre ligjor dhe marrëveshja do të nënshkruhet edhe nga ai.

Nderkohe, kryetari i bashkise se Bulqizës, Roland Keta, u ka kerkuar minatorëve të ruajnë qetësinë dhe të kthehen në punë pasi miniera e kromit është burimi kryesor i të ardhurave të këtij qyteti dhe nuk mund të lihet në mëshire të fatit.