Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 13:28

Tiranë – Ka rinisur sot përpara zyrave të ACR protesta e minatorëve të Bulqizës, të cilët kanë deklaruar se nuk do të nisin punën pa nënshkruar më parë një marrëveshje institucionale me kompaninë ACR, ku kjo e fundit të deklarojë se do të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre.

Minatorët, po ashtu, kërkojnë që në bisedime të marrë pjesë edhe kreu i konfederatës së sindikatave, Kolë Nikolla, të cilin kompania ACR e akuzon se kërkon të mbajë peng interesat e minatorëve për interesat e tij personale.

Ndërkaq një ditë më parë, administratori i kompanisë koncesionare ACR-së, Giga Bedineishvili, u dërgoi minatorëve një marrëveshje, por që u hodh poshtë prej tyre, me pretekstin se kërkojnë që të plotësohen të gjitha kërkesat dhe jo një pjesë e tyre. ACR, në marrëveshjen e nënshkruar nga administratori i saj, i garanton minatorët për rritjen e pagës bruto me 20 për qind, transparencë në realizimin e investimeve si dhe të kushteve të punës.

Ndërkohë, minatorët të cilët e ndërprenë grevën e urisë në ditën e 27-të të saj, duke zbatuar vendimin e gjykatës, kërkojnë rritjen e pagës deri në 40 për qind,  përmirësimin e kushteve të punës, uljen e moshës së daljes në pension si dhe largimin e drejtorit të minierës. Ata shprehen të vendosur për të vijuar grevën në rast të mos plotësimi të kërkesave të tyre.