Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 18:06

Tiranë – Po përmbyllet sot edhe dita e 23-të e grevës së urisë e minatorëve të Bulqizës, ndërkohë që marrëveshja duket ende tepër larg.

Gjatë ditës së sotme, bëhet e ditur se, në mbështetje të 14 grevistëve të mbetur në galeri kanë mbërritur në Bulqizës edhe 50 minatorë të tjerë nga Puka dhe Mirdita. Ata janë bashkuar me minatorët e tjerë dhe familjarët e grevistëve, që po mbështesin 14 grevistët në nivelin e 14-të të minierës së Bulqizës.

Ndërkohë, një ditë më parë dhjetë minatorë të Bulqizës kanë dalë nga greva e urisë, duke u zëvendësuar menjëherë nga 10 të tjerë. Ata që kanë lënë grevën e urisë janë dërguar me urgjencë drejt një klinike private në kryeqytet, pasi kanë paraqitur shenja tepër të komplikuara shëndetësore,  sidomos probleme me  shikimin.

Ndërsa, 4 grevistët tjerë, pavarësisht gjendjes së tyre mjaft të rëndë shëndetësore, nuk kanë pranuar të braktisin grevën e urisë.

Minatorët që janë ngujuar në nivelin e 14-të minierës, prej më shumë se tre javësh kërkojnë rritje page 20-40%, kushte më të mira pune, si dhe largimin nga detyra të drejtorit të minierës.