Lajme Shqip Tuesday, 06 September 2011 12:00

Tiranë – Kompania koncesionare ACR, ua ka bërë sot një ofertë të re minatorëve të Bulqizës ku pranohet që në nënshkrimin e marrëveshjes, të marrë pjesë edhe kreu sindikatës së minatorëve, Taf Koleci, duke lënë të pandryshuara pikat e tjera.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm minatorët e Bulqizës, u mblodhën sërish përpara zyrave të ACR, për të vijuar protestën e tyre, në pritje të një vendimi nga këshilli drejtues i minatorëve, për pranimin e kësaj kërkese ose përcaktimin e shinave mbi të cilat do të vijojë protesta.

Protesta, e cila ka nisur tre muaj më parë, kur minatorët e kromit në Bulqizë, të përkrahur nga kreu i sindikatës së minatorëve Kol Nikolla, vendosën të bojkotonin punën për të kërkuar rritje rroge 20-40 për qind, kushte më të mira pune, uljen e moshë së pensionit dhe largimin nga detyra e përfaqësuesit të firmës koncesionare “Albanian Crom”.

Kjo e fundit nga ana e saj, pas shumë tratativash të dështuara me minatorët pranoi të rris rrogën 20 për qind dhe të kryej investimet e parashikuara në kontratën me pronarin legjitim të minierës, Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës (METE), që nga ana e saj i pezulloi licencën ACR-së deri në kryerjen e investimeve.

Ndërkaq, gjatë ditëve të fundit minatorët kanë kërkuar një vëmendje më të madhe nga Qeveria duke i kërkuar asaj të rishikojë statusin e tyre dhe të vendosë në vend dinjitetin e punëtorëve të minierave, duke përfshirë këtu edhe kërkesat e mëparshme të tyre.