Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 15:11

Tiranë (PLOTËSUAR në 16:00) – Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave (RISHM), institucion në vartësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), ngre padi penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në ngarkim të drejtuesve të grevës së urisë të minatorëve të Bulqizës.

Sipas burimeve zyrtare pranë këtij institucioni, akuza kundrejt drejtuesve të grevës së urisë bëhet për shkak të dëmtimit, me pasoja të rënda, të pronës publike shtetërore dhe shkelje të rënda të sigurisë në punë, në veprimtarinë minerare, që cenojnë jetën dhe shëndetin e minatorëve.

METE, nga ana e saj, ka vendosur për pezullimin e shfrytëzimit të minierës deri në rehabilitimin dhe vënien në funksion të plotë teknik të saj.

Ngritja e padis penale nga ana e RISHM-t, vjen pas thirrjes që i bëri dje ky institucion minatorëve të Bulqizës, për të lejuar inspektorët e këtij institucioni, të kryenin survejim të gjendjes së minierës.

******************************

Tiranë – Minatorët e Bulqizës, pas mbledhjes së komisionit të grevës, i janë përgjigjur negativisht ftesës së kompanisë ACR për t’u ulur në tryezë në Tiranë për të arritur një marrëveshje për të zgjidhur situatën e krijuar në Bulqizë.

Ata kërkojnë që takimi midis palëve, mos të mbahet në Tiranë, por në Bulqizë, pasi ky është dhe vendi ku prej 16 ditësh po zhvillohet greva e urisë.

Po ashtu, drejtuesit e komisionit të grevës theksuan se do të presin administratorin e firmës ACR, Giga Bedineishvili, deri nesër në mesditë, në rast të kundërt kërcënuan se do të bllokojnë edhe rrugën nacionale.