Lajme Shqip Friday, 09 September 2011 12:34

Tiranë – Në mëngjesin e të premtes, minatorët e Bulqizës kanë vijuar protestat e tyre, ndërkohë që, duke u bazuar në kodin e punës dhe përkatësisht në nenet 182, 186, 197, sindikata e minatorëve ka depozituar në gjykatë një padi kundrejt firmës koncesionare Albanian Crom “ACR”.

Në padinë e depozituar sot, akuzohet ACR për ndërhyrje në punët e sindikatës, për thyerje të ligjit të grevës dhe për presion dhe largim të pamotivuar nga puna të minatorëve.

Lajmi bëhet i ditur nga përfaqësuesit e sindikatës, të cilët morën këtë vendim, pas paralajmërimit që bëri mbrëmë kompania ACR, ku me anë të një njoftimi për shtyp, ftoi punonjësit e saj të rikthehen ditën e hënë, 12 shtator, ora 7:00, në minierë duke deklaruar se “nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i interesave të biznesit të një grupi të vogël njerëzish të udhëhequr nga Kol Nikolla”.

ACR,bën të ditur se “punonjësit e ACR-së, të cilët nuk do të paraqiten në pozicionet e tyre përkatëse do të konsiderohen që nuk dëshirojnë të punojnë në këtë kompani”.

Në njoftim sqarohet që personat që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë për kompaninë ACR duhet të raportojnë praninë e tyre në administratën e ACR në Bulqizë, ku dhe do të pajisen me kontratat e reja individuale.

“Këto kontrata do të bazohen në kontratat aktuale me disa modifikime si, paga neto e rritur me 20%, e drejta për kushte të mira pune të vazhdueshme dhe e drejta për tu informuar për planet e investimeve në minierë”, deklaron ACR.

Kompania shton gjithashtu se për të lehtësuar gjendjen e vështirë financiare të punonjësve dhe familjeve të tyre si pasojë e kësaj greve të jashtëligjshme, ACR do t’u paguaj minatorëve rrogën e 13-te brenda javës së ardhshme.

Më tej, ACR sqaron se për të mirën e përbashkët të kompanisë dhe minatorëve të Bulqizës ranoi të ulej në bisedime edhe me drejtuesit e sindikatës, të cilët janë krijuesit e kësaj situate të vështirë.

“Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të ACR, asnjë marrëveshje nuk është realizuar me krerët e sindikatave.Ashtu si dyshohej, lidershipi i sindikatave ka treguar edhe njëherë mos dashjen e pa arsyeshme për zgjidhjen e situatës”, theksohet në deklaratën për mediat.

Në këto kushte ACR deklaron se “ka vendosur të ndërpresë çdo komunikim efektiv me kreun e sindikatave pasi çdo hapësirë negocimi me këtë grup aventurieresh është konsumuar”.