Lajme Shqip Monday, 15 August 2011 10:21

Tiranë – Greva e minatorëve të Bulqizës ka hyrë sot në ditën e 22-të, në pritje të një marrëveshjeje me kompaninë ACR për realizimin e kërkesave të tyre.

Ndërkohë, bëhet me dije se, pas alarmit të dhënë nga Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave (RISHM) për rrezikun e shembjes së minierës në nivelet 15 dhe 16 të saj, 10 minatorë punojnë me turne për mirëmbajtjen e saj.

Gjatë fundjavës së kaluar, përfaqësuesit e minatorëve u takuan me Administratorin e kompanisë ACR, Giga Bedineishvili, për të nënshkruar një marrëveshje, e cila nuk u realizua, pasi përfaqësuesit e minatorëve e konsideruan ofertën e ACR si jo institucionale.

Ndërsa, administratori i kompanisë ACR, nga ana e tij, e vlerësoi si pozitiv takimin me përfaqësues të minatorëve, duke thënë se kishin rënë dakord per hartimin e një memorandumi mirëkuptimi.

Ndërkaq të shtunën, kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla, në një intervistë për mediat, kërkoi edhe një herë vëmendje dhe interes si nga pushteti qëndror, ashtu edhe nga ndërkombëtarët për të zgjidhur ngërçin e krijuar, ndërkohë që vazhdoi duke kërcënuar firmën ACR, se në rast të mos nënshkrimi të marrëveshjes në një kohë sa më të shkurtër 700 minatorë të tjerë janë gati për t’u bashkuar në 13 minatorët që janë aktualisht në grevën e urisë.

13 minatorë të “ngujuar”, në nivelin e 14-të, kërkojnë rritje page 20-40%, kushte më të mira pune si dhe largimin nga detyra të administratorit të ACR.