Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 11:19

Tiranë – Greva e urisë e minatorëve të Bulqizës ka hyrë në ditën e 8-të të saj. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla, ka ripërsëritur edhe një herë se greva nuk do të ndërpritet derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Nikolla ka deklaruar se situata e 15 minatorëve, të cilët ndodhen brenda minierës, sa po vjen e po agravohet, ndërsa ka shtuar se grevistët e kanë ndërprerë edhe komunikimin me jashtë.

Ai, gjithashtu, theksoi se nuk është nënshkruar ende një marrëveshje midis minatorëve dhe firmës ACR, ndërsa shtoi se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre, greva do të përshkallëzohet më tej, duke mos përjashtuar edhe një mosbindje civile.

Nikolla, gjithashtu, theksoi se minatorët nuk do të pranojnë asnjë marrëveshje me firmën ACR përmes mediave, por vetëm duke u ulur në tavolinë me përfaqësuesit e firmës.

Ndërkohë, përveç kushteve ekstreme të grevës së urisë, siç është ngujimi në 1400 metra thellësi, në brendësi të minierës, sot në ditën e tetë të grevës, 15 minatorëve të Bulqizës iu është shtuar rreziku i përmbytjes nga pompat e ujit.

Në kërkesat e minatorëve grevistë përfshihet rritja e pagave në masën 40 për qind, largimi i drejtorit të deritanishëm të minierës së Bulqizës dhe përmirësimi i kushteve të sigurisë në punë për minatorët. Kompania ACR ka rënë dakord të plotësojë vetëm një pjesë të këtyre kërkesave.