Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 13:51

Tiranë – I gjithë spektri i politikës shqiptare, bie dakort për ndryshime të domosdoshme dhe të menjëhershmë në ligjin zgjedhor, jo vetëm për faktin se ka dy palë rekomandime nga OSBE/ODIHR-i, të publikuara pas zgjedhjeve paralamentare të 2009-ës dhe pas zgjedhjeve vendore të 8 majit por edhe për shkak të boshllëqeve që u reflektuan në praktikën zgjedhore, veçanërisht të 8 majit.

Kreu i PDS-së, Paskal Milo, shprehet se për këto ndryshime, është e domosdoshme që të gjenden disa ekuilibra që u prishën me ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor, në prill të vitit 2008-të.

“Koha provoi që këto ndryshime ishin të dëmshme për procesin zgjedhor në tërësi por në mënyrë të veçantë krijuan një klimë politike e elektorale të dëmshme për partitë e vogla, për shkak të bashkëpunimit të fshehtë dhe objektivave të njëjta që kishin dy partitë e mëdha, të cilat donin të zhduknin nga skena politike, ato që quhen parti të vogla”, deklaron Milo.

Sipas tij, e gjithë kjo periudhë, që pas 2008-ës, dëshmoi se faji nuk ishte i partive të vogla, të cila kanë shërbyer si instrumente ekuilibri në jetën politike shqiptare por i dy partive të mëdha sepse kriza politike, jo vetëm që nuk u shua por u thellua më tej.
Për një ligj zgjedhor afatgjatë dhe që të jetë një bazë e mirë për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barbarta, kreu i PDS-së propozon, që në radhë të parë të korrigjohet sistemi zgjedhor.

“Të paktën të futet elementi i korrektimit kombëtar në sistemin rajona proporcional që ekziston. Kjo për të mos lënë më tej, padrejtësi të hapur që u bëhet partive të tjera, përveç PD dhe PS, votat e të cilave shkojnë në mënyrë të padrejtë në shportën e dy partive të mëdha dhe ato marrin mandatet e deputetëve me djersën e të tjerëve”, nënvizon Milo.

Më tej, aleati i koaliciont të selisë rozë, propozon që “listat e kandidatëve për deputetë duhet të jenë të hapura dhe jo të mbyllura, që ato të varen nga humori i kryetarit të parties”, duke e cilësuar këtë si “element të demokracisë parlamentare”.

Milo parashtron edhe një propozim tjetër, i cili sipas tij, është i lidhur me mënyrën sesi do të funksionojë e gjithë piraminda e administratës zgjedhore duke filluar nga KQZ dhe deri tek komisioni i votimit, në qëndrën e votimit.

“Këto komisione dhe veçanërisht KQZ, duhet të kenë një natyre dhe përbërje tjetër. Apsolutisht që duhet hequr dorë nga kompozimi partiak politik i tyre dhe duhet krijuar një administratë zgjedhore e pamvarur, me njerëz që kanë integritet që njohin dhe respektojnë ligjin dhe që të mos u nënshtrohen presioneve të partive politike”, deklaron Milo.

Me të njëjtën logjikë, ai shprehet se duhen të kompozohen edhe komisionet e niveleve të tjera më poshtë.

Gjithashtu kreu i PDS-së, mbështet propozimin e hedhur për të aplikuar votimin eletronik, që sipas tij, do të jetë një arritje serioze dhe do të garantojë drejtësi në procesin e numërimit të votave si dhe shprehjen adekuate të vullnetit të lirë të shqiptarëve për të votuar për atë subjekt politik që ata dëshirojnë.

“Por që të bëhet kjo, ka nevojë që reforma zgjedhore dhe vendimet lidhur me të, të merren sa më shpejt pasi përgatitja e infrastrukturës zgjedhore do kohë, aq më shumë kur kemi të bëjmë me elementë të teknikës elektronike, ku dihet që zonat rurale, janë të vështira për të vendosur funksionimin  e teknologjisë moderne”, thekson Milo.

Gjithashtu ai shprehet se në Kodin Zgjedhor, duhen reflektuar edhe propozime të tjera sikurse mbështetja e partive politike në fushatat elektorale, nga buxheti i shtetit.

“Duhet të ketë kritere të tjera të matshme përveç përfaqësimit parlamentar sepse ka parti të cilat janë të suksesshme në zgjedhjet për pushtetin vendor, që kanë një peshë politike dhe nuk mund të ndahen me thikë, sepse pushteti vendor funksionon veçantë pushtetit qëndror”, përfundon kreu i PDS-së, Paskal Milo.