Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 16:59

Shkup – VMRO-DPMNE-ja paralajmëron kryetarin aktual të Strugës, Ramiz Merko se në rast se kjo parti fiton zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit në Strugë, do të kërkojë llogari nga kreu i komunës së Strugës. Ministri i Punëve të Jashtme Antonio Milloshoski dhe njëherësh zyrtar i lartë i partisë së Gruevskit thotë se ligjet janë të njëjta për të gjithë dhe askush nuk mund të ndihet i privilegjuar se i takon ose nuk i takon njërit apo cilit do opsion ose institucion. Milloshoski i cili është bartës i listës së deputetëve të VMRO-DPMNE-së në njësinë nr. 5 zgjedhore dhe Ministër i Punëve të Jashtme (MPJ), ka deklaruar në një takim me qytetarët e Strugës, se ai dhe partia e tij kanë respekt për partnerin e deritanishëm të koalicionit Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), por jo edhe për drejtuesit e kësaj partie në strugë. “BDI-në e respektojmë si parti politike dhe mendojmë se ka kapacitet solid, por kjo nuk vlen edhe për disa individë siç është kryetari i komunës Ramiz Merko, që mendoj se nuk gëzon respekt as në partinë e vet politike e aq më pak tek të tjerët. Për fat të keq, kjo është për shkak të sjelljes së tij, që nuk mbështetet në principe, por para së gjithash në interesat personale”, ka deklaruar Milloshoski.

Ky i fundit nuk ka dashur të përgjigjet se vallë kjo deklaratë vjen si rezultat i moszgjidhjes së disa problemeve kontestuese siç ishte rasti me xhaminë në Belicë, shkollën shqipe në Podgorcë etj. Milloshoski konsideron se këto janë probleme sporadike përmes të cilëve Merko dëshiron të mbulojë disa çështje esenciale.

“Të gjithë janë të ftuar dhe janë të thirrur dhe duhet të nxjerrin mësim të mirë për luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe duhet vepruar në pajtim me ligjet”, porositi Milloshoski. Lidhur me këto paralajmërime të Milloshoskit nuk arritëm të marrim reagimin e kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko.