Lajme Shqip Thursday, 10 September 2015 10:10

Sipërfaqja e tokës private e zyrtarit shtetëror për Përcaktimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi është rritur viteve të fundit, derisa po akuzohet nga opozita për humbje të tokës shtetërore. Pasuria e përgjithshme e Murat Mehës është më e madhe se 1.5 milion euro.

Murat Meha në kohën kur po akuzohet rëndë për humbje të tokës së Kosovës si kryetar i Komisionit Shtetëror për Përcaktimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, nga kjo pozitë së paku ka arritur ta rrisë sipërfaqen e tokës së tij private.

Meha, i cili qe një kohë është në cak të akuzave të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për humbje të mijëra hektarëve tokë shtetërore, vitet e fundit, sipas formularëve të deklarimit të pasurisë që i posedon gazeta “Zëri”, ka deklaruar se i ka blerë dhjetëra hektarë tokë, vlera e së cilës arrin rreth 400 mijë euro, një shtëpi prej 500 metrash katrorë në vlerë prej 400 mijë eurosh, si dhe një banesë që e ka blerë para tri vjetëve mbi 70 mijë euro.

Meha, që një herësh është kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ka deklaruar edhe rreth 330 mijë euro para të gatshme në bankat komerciale të vendit.

Është interesant fakti se formulari i deklarimit të pasurisë së Mehës nuk ka qenë i publikuar në uebfaqen e Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, mirëpo pas kërkesës së gazetës “Zëri” drejtuar kësaj të fundit, është publikuar edhe pasuria e tij disa muaj pas publikimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Madje, për fshehje të pasurisë në vitin 2011 bashkëshortja e kryeshefit Meha, si zyrtare e lartë e Komisionit Qendror Zgjedhor, është dënuar në atë kohë nga Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë. /Zëri/