Lajme Shqip Wednesday, 12 August 2015 13:38

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thuajse në çdo mbledhje të qeverisë ka bërë thirrje për ulje të shpenzimeve në luks. Por, këtyre fjalëve nuk i është përmbajtur as vetë ai. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti Isa Mustafa ka shpenzuar afro 423 mijë euro në udhëtime, derisa për shpenzime telefonike i pari i ekzekutivit ka paguar 64 mijë euro.  Këto shifra, të cilat Gazeta Fjala i ka nxjerrë nga raporti gjashtëmujor i shpenzimeve, janë më të larta për 16, respektivisht 8 për qind, krahasuar me përiudhën e njëjtët të vitit të kaluar.

Ngjashëm sikurse shefi i qeverisë kanë vepruar edhe kryetarët e komunave të Kosovës. Madje Mustafën nuk e kanë dëgjuar as disa kryetar që i ka më “për zemër”, e që vijnë nga partia e njëjtë.

Imri Ahmeti, që drejton komunën e Lipjanit e që goxha shpesh është parë pranë shefit te qeverisë, ka arritur të shpenzojë për shërbime të telekomunikimit mbi 2574 për qind se ish kryetari i kësaj komune. Ai sipas raportit gjashtëmujor të këtij viti ka shpenzuar në udhëtime 44 mijë e 540 euro, që është një rritje prej 671 për qind krahas vitit të kaluar. Shpenzime pa kontroll ka bërë edhe në telefona, ku shuma totale ka shkuar në 24 mijë e 530 euro, nga 918 euro sa ishin raportuar shpenzimet në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Injorim të madh thirrjes së Mustafës i ka bërë edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari. Ajo duket se ka pasur shumë punë me telefon, pasi shpenzimet për këtë janë rritur për 561 për qind. Në vitin 2014 në këtë komunë në telefona ishin shpenzuar 4 mijë e 133 euro. Kurse, ketë vit ato kanë shkuar në 27 mijë e 307 euro. Përveç kësaj Kusari-Lila ka shpenzuar edhe 146 mijë e 850 euro në udhëtime, që është një rritje prej 1 për qind krahas vitit të kaluar.

Kursimtar në udhëtime jashtë vendit e telefona nuk është treguar as Shpend Ahmeti i komunës së Prishtinës. Ai për udhtime për gjatë muaj të këtij viti ka shpenzuar 75 mijë e 760 euro, apo 404 për qind më shumë se në vitin e kaluar. Kurse, në telefona Ahmeti ka shpenzuar mbi 36 mijë euro, duke shënuar rritje prej 45 për qind, raporton Gazeta Fjala.

Edhe bashkpartikau  I Mustafaës nga Gjilani, Lutfi Hazairi nuk ka kursyer paranë publike për udhëtime e telefona. Për udhëtime Haziri ka shpenzuar për gjashtë muaj mbi 128  mijë euro, që është 10 për qind më shumë se viti i kaluar, derisa për telefona shpenzimet kanë arritur në 17 mijë euro, që në përqindje i bije të këtë rritje prej 139 për qind.

Ngjashëm ka vepruar edhe anëtari tjetër I LDK’së, Muharrem Sfaqa, që aktualisht është kryetari I Ferizajt. Ai për gjashtë muajt e këtij viti për udhëtime jashtë vendit ka shpenzuar mbi 37 mijë euro, derisa në telefona mbi 10 mijë. Në të dyja fushat ka pasur tejkalime për 42 për qind, respektivisht 100 për qind.

Edhe kryetari I Istogut, Haki Rugova që po ashtu është nga LDK’ja e Isa Mustafës ka bërë shpenzime të mëdha në udhëtime e telefona. Për udhëtime, Rugova ka shpenzuar 21 mijë e 804 euro, apo 58 për qind më shumë se vitin e kaluar. Derisa në telefona rritje të shpenzimeve ka pasur për 108 për qind, duke harxhuar 21 mijë e 178 euro.

Dorëlirë në shpenzime është treguar edhe Sokol Bashota i Klinës. Ai në udhëtime jashtë dhe brenda vendit dhe në telefona ka shpenzuar mbi 32 mijë euro. Në të dyja fushat ka pasur rritje të shpenzimeve për 215 për qind e 92 për qind.

Kurse, Agim Veliu që drejton komunën e Podujevës është munduar t’i ulë shpenzimet Brenda gjashtë muajve të këtij vit. Por, ulje të tyre pa pasur vetëm në telefona për 12 për qind. Derisa shpenzimet në udhëtime janë rritur për 214 për qind, ku edhe ka shpenzuar 13 mijë e 355 euro.

Edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja nuk i ka tejkaluar shpenzimet për telefona. Por, rritje te tyre ka pasur në udhëtime jashtë vendit. Për këtë punë Muja ka shpenzuar afro 46 mijë euro, që është një rritje prej 28 për qind nga viti i kaluar.

Kurse, Gazmend Muhaxheri i Pejës, për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka shpenzuar 33 mijë e 241 euro, duke rritur ato për 52 për qind. Derisa, në udhëtime jashtë vendit ai ka ulur shpenzimet për 3 për qind.

Agim Bahtiri, që drejton komunën e Mitrovicës ka shpenzuar për telefona 22 mijë  e 867 euro, duke shënuar rritje prej 54 për qind. Derisa, për udhëtime jashtë vendit Bahtiri ka ulur shpenzimet për 18 për qind./ Gazeta Fjala/