Lajme Shqip Tuesday, 09 October 2012 16:42

TIRANE – Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Dorian Teliti, tha të martën se ish-të përndjekurit politikë po përdoren nga politika. Teliti theksoi se të gjithë ish-të përndjekurit, të cilët ndodhen në grevë urie, e kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit. “Ish të përndjekurit, që janë në grevë, kanë marrë paratë nga janari 2009 deri më 30 shtator 2012. Janë dhënë 5.6 miliardë lekë të reja për dëmshpërblimet” tha Teliti.

Ai bëri të ditur se nga nesër do të vijojë shpërndarja e këstit të dytë të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. “Ish- i përndjekuri Gjergj Ndreca, që ndodhet i shtruar në spital, mashtron, pasi ai ka marrë nga qeveria shumën e parave që i takon, ndërkohë që edhe Pal Përshtjefni, i akuzuar për zjarrvënie të shokut, ka marrë shumën që i takon”, tha Teliti.

ISH-TË PËRNDJEKURIT: MOS NA ZHGËNJENI MË TEPËR
Ish-të përndjekurit politikë i bënë thirrje Ministrisë së Financave të mos manipulojnë opinionin publik, për dëmshpërblimin e marrë prej tyre. Sipas ish-të përndjekurve, deklarata e Ministrisë së Financave nuk i përgjigjet gjendjes së tyre.

Koordinatori i grevës, Skënder Tufa i kujton Ministrisë së Financave që sipas ligjit ata duhet të kishin marrë 4 këste të dëmshpërblimit në 8 vjet, dhe kanë marrë vetëm një të tillë.  “Pas mashtrimeve që na ka bërë dhe injorimeve që i ka bërë ligjit, ne i kemi kërkuar qeverisë dëmshpërblim të menjëhershëm. Këta kanë përgjegjësi dhe detyrime për shtresën e të burgosurve politikë. Mos na zhgënjeni më tepër.”- shprehet Tufa. (LajmeShqip.com)