Lajme Shqip Tuesday, 10 September 2013 13:54

Tiranë- Përveç mbështetjes së mazhorancës, kryetarit të LSI-së Ilir Meta iu besua drejtimi i Kuvendit të Shqipërisë edhe nga 8 deputetë të opozitës. Në votimin e fshehtë që u zhvillua në Kuvend, kandidatura e Metës mori 91 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim. Ajo që ra në sy në listën e deputetëve që propozuan kandidaturën e Metës për këtë post ishte fakti se kjo listë kryesohej nga kryeministri i sapodekretuar Edi Rama.

Në fillim të seancës së Kuvendit, komisioni i verifikimit të mandateve bëri të ditur se nuk konstatoi asnjë pavlefshmëri gjatë verifikimit të mandateve të 140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Pas leximit të konkluzioneve të raportit nga Armando Subashi, deputetët bënë betimin njëri pas tjetrit. Sipas rregullores parlamentare, drejtuesi i seancës, Namik Dokle, lexoi tekstin e betimit dhe secili nga ligjvënësit u ngrit në këmbë duke thënë “Betohem”.

 

META THËRRET SEANCËN E RADHËS: NESËR VIJOJMË PUNIMET E PARLAMENTIT

 

Në fund të fjalimit si kryetari i ri i Parlamentit, Ilir Meta thirri Parlamentin të vijojë seancën e radhues ditën e mërkurë me qëllim caktimin e rendit të ditës.
“Të mblidhet nesër një seancë e re parlamentare ora 11:00 dhe paraprakisht mbledhje kryetarët e grupeve parlamentarë për të vijuar procedurën sesi do të vijohet me punimet e parlamentit sepse kemi bërë pushime më shumë se nevojiteshin dhe kjo jo për fajin tonë”./BW/