Lajme Shqip Friday, 13 April 2012 10:35

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh dje, gjatë një interviste televizive, se shtylla kryesore ku duhet të bazohet zgjedhja e Presidentit të Republikës është Kushtetuta, që është e domosdoshme sepse edhe vetë institucioni i Presidentit është i lidhur me Kushtetutën dhe është garant i saj. Ajo që ka rëndësi është që ky proces të realizohet me frymën sa më konstruktive që të jetë e mundur.

“Kemi marrëveshje me PD-në, ku një pikë e saj është edhe zgjedhja e Presidentit. Ajo që duam është të ketë një klimë konstruktive, që të ketë sa më shumë bashkëpunim për të mirën e vendit”, Meta.

Kreu i LSI-së u shpreh se “jemi në një vit jashtëzakonisht të rëndësishëm, viti i 100 vjetorit të Pavarësisë dhe Shqipëria do të marrë në muajt në vijim një rëndësi më të madhe në aspektin ndërkombëtar. Shqiptarët kudo që janë dëshirojnë që në këtë 100 vjetor të shohin një Shqipëri sa më solide, pavarësisht se kush e drejton vendin”.

“Nuk mendoj se vlera e LSI-së do të përcaktohet nga emri i Presidentit të ri. Ne do të gjykohemi nga ajo që kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe për t’i shërbyer stabilitetit të vendit dhe proceseve integruese”, tha Meta.