Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 11:30

Tiranë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe ish-kryeministri Ilir Meta, gjatë një emisioni televiziv të martën në mbrëmje, komentoi vendimin më të fundit të Gjykatës së Lartë, për çështjen e videopërgjimit, ndërsa hodhi akuza se prapa saj fshihet kryetari i PS-së, Edi Rama. 

Meta tha se prokuroria qëllimisht nuk po e heton videon ku Dritan Prifti merr 70 mijë euro.

“Ekspertët amerikanë gjetën një video tjetër tek ora e atij që më përgjoi mua. Çështja e Priftit që po bëhet sikur po hetohet, ka një presion të jashtëzakonshëm që kjo gjë të mos hetohet nga prokuroria. Video ku u shfaqa unë u regjistrua për qëllime shantazhi, Prifti është një viktimë, është i përdorur në këtë proces dhe pas tij fshihet lideri i opozitës(Edi Rama)”, tha Meta.

Ai u shpreh i kënaqur me vendimin unanim të Gjykatës së Lartë, që e shpalli atë të pafajshëm ndaj akuzave  për korrupsion të ngritura nga ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti. “Mendoj se ky rezultat flet shumë qartë dhe pastër dhe vë pikëpyetje të tmerrshme mbi organin e akuzës”, u shpreh Meta.

Ndërkohë, kreu i LSI-së shprehu shqetësim për atë që ai e quajti standard të dyfishtë të prokurorisë dhe e cilësoi organin e akuzës si problemin më të madh për drejtësinë në vend.

“Më shqetëson që prokuroria ka standard të dyfishtë. Nga procesi që ka ndodhur unë mësova që problemi më i madh për këtë situatë që ne kemi me ligjin, luftën kundër korrupsionit është prokuroria”, tha Meta.

Lidhur me debatin për Presidentin ai tha se LSI gjykon se Kreu i shtetit duhet të zgjidhet sipas Kushtetuës dhe të jetë sa më konsensual. “Sa për emrin është tepër herët. Ka shumë individë të spikatur. Ne kemi një marrëveshje me PD-në dhe nuk bëhemi pjesë e spekulimeve, por pjesë e një zgjidhje konstruktive dhe parimore”, u shpreh Meta. (LajmeShqip.com)