Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 13:01

Fier – Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) çeli të dielën në mesditë fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit në Fier, ku kandidat për bashkinë e këtij qyteti është Ilir Bele, i përzgjedhur nga strukturat e PD-së dhe që mbështetet nga koalicioni “Aleanca për qytetarin”.

Kryetari i LSI, Ilir Meta, në fjalën e tij theksoi se zgjedhjet e 8 majit, janë zgjedhje për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe jo zgjedhje për t’u fshehur pas sloganeve absurde.

Ai përshëndeti qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen që po i japin filozofisë së “Aleancës për qytetarin”.

Lideri i LSI-së vlerësoi kandidaturat e forcës që ai drejton në zgjedhjet e 8 majit, duke i cilësuar ato si më potencialet, ndërsa kërkoi mbështetjen maksimale të elektoratit për të gjthë kandidatët e koalicionit, e veçanërisht kandidatit për bashkinë e Fierit, Ilir Bele.

“Në 8 maj qytetarët e Fierit me votën e tyre do të kërkojnë një qeverisje transparente, në mënyrë që taksat që paguajnë t’u kthehen përsëri atyre, me shërbime dhe investime”, tha Meta.