Lajme Shqip Wednesday, 18 January 2012 14:45

Tiranë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim reagoi sot ndaj qëndrimit të djeshëm të Kryesisë së Partisë Socialiste.

“Nëse më pyesni për vendimin e gjykatës ju e dini se rezultati ka qenë edhe më i thellë se sa duhej por ça ti bësh që e vërteta është e kristaltë. Rezultati ishte 5 me 0. E kuptoj shqetësimin e biznesmenit më të ri në sipërmarrjet funerale në Shqipëri, Edin tonë të dashur që përzjeu me ceremonitë mortore edhe disa të rinj që quhen eurosocialistë. Lidhur me shqetësimin e madh të tij që paraqet përmes këtyre të rinjve që i përdor në ceremoni të rënda e të papranueshme. Meqe mu dha rasti të takoj mikun tim të dashur Met Veliu dhe para pak ditësh hëngra një dreke me Filip Çakullin, dua vërtet nëse Edi do transparencë dhe nëse Edi është interesuar të ballafaqohet me shqiptarët dhe ndërkombëtarët lidhur me atë që e quan vdekja e drejtësisë, presion ndaj gjykatave dhe prokurorëve, apo edhe më tej, unë e ftoj që duke nisur nga sot nëse zoti Filip Çakulli na bën favor në emisionin Fiks Fare bashkë me Edin të dalim para shqiptarëve dhe ai natyrisht le të ketë orë sa të dojë në dispozicion për të folur e dhënë prova”, theksoi Meta.

Më tutje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ftoi Ramën të paraqesë fakte e dokumente për kapjen e Gjykatës së Lartë.

“Unë e siguroj atë dhe ju se do ta dëgjoj me respekt dhe vëmendje duke besuar se vërtet është i shqetësuar për këtë që po ndodh. Unë dua vetëm 2 minuta kohë për të transmetuar diçka në video dhe audio meqe Edi na futi video-politikën, për të parë vërtet se kush ndërhyn tek prokuroria dhe gjyqtarët për qëllime politike. Kjo bëhet në emër të transparencës. Sa për biznesin e ri të funeraleve nuk është normale dhe njerëzore të cim në këtë drejtim. Përpara se të vazhdojë me këtë lloj biznesi do të ishte shumë mirë që miku im Edi të kërkonte falje për gjendjen që i la varrezat në Tiranë”, theksoi Meta.