Lajme Shqip Saturday, 13 July 2013 15:40

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta ka zhvilluar një takim me anëtarë dhe simpatizëntë të LSI-së në qytetin e Çorovodës. Gjatë fjalës përshëndetëse të mbajtur në këtë takim Lideri i LSI-së ka deklaruar se fitorja në Qarkun e Beratit ka qenë rezultat i të gjithë kandidatëve për deputet që punuan si një ekip i shkëlqyer dhe përcollën frymën e bashkëpunimit kudo në të gjitha strukturat.

“Padyshim që në themel të këtij suksesi është puna e secilit prej jush, e gjithë drejtuesve të LSI-së në nivel vendor dhe të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve tanë. Ka qenë vërtetë një fushatë e jashtëzakonshme, ka qenë një fushatë me një bindje të plotë se ishte radha e LSI-së për të treguar vlerat e saj të vërteta”, tha z. Meta.

Ai theksoi se edhe në 2005-n edhe në 2009-n LSI-ja u ndesh jo thjesht me partitë e mëdha, por me një sistem shtypës dhe shkatërrues të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por qëndrueshmëria e LSI-së, mbijetesa, drejtësia e çështjeve që kjo forcë politike ka mbrojtur gjithmonë bëri të mundur që në vitin 2013, më 23 qershor, të arrinte një sukses mëse të merituar në themelet e të cilit nuk është vetëm puna e bërë gjatë muajve të fundit, por është në themel puna e bërë gati 9 viteve të themelimit të LSI.

“Është vetëm fillimi i rritjes sonë do të vazhdojmë të rritemi akoma më tej, sepse në gjithçka e bazojmë te puna e përditshme, e vazhdueshme dhe tek përmirësim i vetvetes. Pra, motoja jonë për të ardhmen është të punojmë çdo ditë dhe të përmirësohemi çdo ditë në mënyrë që të jemi më të aftë dhe më të suksesshëm në përballimin e gjithë sfidave që kemi përpara. Ne kemi bërë fushatën më pozitive, kemi bërë fushatën më konkrete, kemi pasur premtimet më të përmbajtura dhe më racionale e kemi përqendruar qartë mesazhin e fushatës sonë tek të gjithë votuesit që kërkojnë stabilitetin e vendit, që kërkojnë zgjidhjen e problemeve më të mprehta ekonomike e sociale, që kërkojnë rritjen e punësimit dhe njëkohësisht për ne është tepër e rëndësishme tani të fillojmë punën për mbajtjen e këtyre premtimeve”, vijoi kryetari i LSI-së. 
Më tej, z. Meta u zotua për mbajtjen e premtimeve të bëra për punësimin, por edhe për ta gjallëruar jetën e komunitetit në Çorovodë

Duke u kthyer te rezultati historik i 23 qershorit, Kryetari i LSI-së shprehur mirënjohjen e tij për popullin e Skraparit dhe premtoi se këtë mirënjohje do ta shprehë me vepra e jo me fjalë.

“Mirënjohje të veçantë për të gjithë popullin e Skraparit, ku LSI më 23 qershor doli forcë e parë politike. Është një punë e madhe që është bërë, por njëkohësisht është një punë akoma më e madhe që na pret përpara për të shprehur mirënjohjen tonë me vepra dhe jo me fjalë sikurse jemi sot këtu përpara të gjithë atyre që na votuan dhe përpara të gjithë popullit tëSkraparit, shtoi ai. Sepse ne pas zgjedhjeve nuk i ndajmë skraparllinjtë as këtu as kudo tjetër, përkundrazi përpiqemi t’i respektojmë dhe t’i mbështesim të gjithë. Fitorja në Qarkun e Beratit është historike sepse është hera e parë që LSI-ja del forcë e dytë politike në një qark të Shqipërisë dhe kjo është mjaft kuptimplotë, por natyrisht ne do të vazhdojmë me synimet tona për të fuqizuar më tej LSI-në”, tha z. Meta.