Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 19:27

Tiranë – Lideri i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi sot se “reforma zgjedhore nuk mund të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese apo ndryshime të tjera”.

Gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar (KDK) për të analizuar rezultatin e arritur nga LSI në zgjedhjet vendore të 8 majit, Meta e cilësoi urgjente nisjen e punës për reformën zgjedhore.

“Përsa i takon reformës zgjedhore ka një urgjencë dhe urgjenca ka të bëjë pikërisht me faktin që zgjedhjet e tjera të qershorit të 2013-s janë afër dhe në këtë drejtim duhet që ndryshimet në kodin zgjedhor të bëhen në mënyrë të studiuar, transparente, gjithëpërfshirëse e të pjekur, pra jo në mënyrë të nxituar”, nënvizoi ai.

Duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit kreu i LSI-së vuri në dukje se ato nxorrën përsëri në pah rëndësinë e nisjes së reformës zgjedhore, e cila duhet t’i japë zgjidhje edhe qartësi çdo lloj problemi apo shqetësimi që lindi pikërisht nga bërja në mënyrë të nxituar e kodit zgjedhor disa vite më parë.

“Është në dinjitetin e të gjitha forcave politike, sidomos të atyre që flasin për më shumë transparencë, që të bashkëpunojnë pa kushte në një reformë të tillë gjithëpërfshirëse që t’i japë fund një herë e mirë diskriminimit të forcave politike dhe njëkohësisht favorizimit të padrejtë të cilësdo. Sepse kjo është e rëndësishme për të forcuar besimin e qytetarëve shqiptarë te vota e lire”, deklaroi Meta.

Ndërsa, lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese, kreu i LSI-së e cilësoi pozitiv faktin që “pranohet sot edhe nga autorët e këtyre ndryshimeve të natës së errët të 21 prillit të tre viteve më parë, që ishin të nxituara dhe të gabuara”.

Por sipas tij, kushtetuta nuk mund të ndryshohet sa herë që ndryshon pozicion politik i një individi apo qoftë edhe i një force politike apo disa të tjerave.

Meta u shpreh se çdo gjë është e lidhur me të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe për këtë ai apeloi që çdo forcë politike, e cila është e interesuar për këtë të ardhme duhet të kontribuojë në përmbushjen e detyrave të saj.

“Është e vërtetë që Shqipëria ka ende detyrime që duhet të përmbushen për të fituar statusin e vendit kandidat, por është po kaq e vërtetë se çdo detyrim që ka mbetur pa u përmbushur ka të bëjë me mungesën e vullnetit të deritanishëm nga ana e lidershipit të opozitës shqiptare për të votuar ligjet e rëndësishme, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar në parlament”, theksoi Meta.

Në përfundim të mbledhjes, Komiteti Drejtues Kombëtar vendosi që për t’i paraprirë fushatës elektorale të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare,  LSI-ja që nga 10 shtatori deri në 20 nëntor do të futet në një proces zgjedhor për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese.

Ky proces do të finalizohet me zhvillimin e Konventës Zgjedhore Kombëtare brenda këtij viti.