Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 13:03

Tiranë-Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, përsëriti nga Korça apelin për nisjen e shpejtë të reformës zgjedhore, që sipas tij, duhet të ishte mbylluar që para zgjedhjeve të 8 majit.
    

Gjatë një turi takimesh në rrethe për zgjedhjen e e strukturave të reja drejtuese të LSI-së në bazë, Meta, i shoqeruar nga N/Kryetari Petrit Vasili dhe sekretar politik i qarkut të Korçës, Piro Kapurani, ritheksoi angazhimin e LSI-së për bashkëpunim në kuadër të integrimin, duke kërkuar gjithashtu edhe pjesëmarrjen e partive te tjera.
    

Sipas tij, BE në deklaratat e dhëna i ka lënë të qarta mesazhet, ndaj palët nuk kanë ç’të presin më, por të nisin bashkëpunimin.
    

“Transparenca është e domosdoshme dhe  jetike që procesi i reformës zgjedhore të jetë i suksesshëm dhe i besueshëm për publikun dhe për qytetarin shqiptar”, tha Meta.
    

Sipas tij, “mungesa e transparencës e shfaqur më parë nuk ka sjellë përmirësime, përkundrazi ka kontaminuar besimin te zgjedhjet dhe ka sjellë kontestimin e tyre nga pala humbëse.
    

“Zgjedhjet janë momenti më solemn kur qytetarët ushtrojnë pushtetin e tyre, prandaj edhe reforma zgjedhore nuk mund të jetë e fshehur për publikun, nuk mund të jetë larg syve dhe vëmendjes së tij dhe nuk mund të lihet për minutat e fundit sikurse ka ndodhur në të kaluarën”, theksoi Meta.
    

“Ndërkaq”, vijoi ai,” i të njëjtës rëndësi është dhe karakteri gjithëpërfshirës i kësaj reforme, e cila nuk është një çështje bipartiake apo tripartiake, pavarësisht peshës politike dhe elektorale që mund të përfaqësojë njëra apo tjetra parti.
    

“Çështjet e reformës zgjedhore janë çështje të jetës politike dhe institucionale të vendit” theksoi Meta.
    

Meta apeloi se duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara dhe duhet të mos bëjmë reformë për një palë zgjedhje, por të vendosim themele të shëndetshme për demokracinë dhe institucionet në një plan afatgjatë.     
    

“Ky qëndrim i yni është në koherencë të plotë me qëndrimin tonë, që nga themelimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vonesat e deritanishme janë të pajustifikuara. Asnjë arsye parimore nuk ka që të mos nisë puna për reformën zgjedhore. Prandaj, është koha për t’i dhënë fund fjalëve dhe për  të kaluar në veprime konkrete” tha ai.
    

Krahas kesaj, Meta ka kujtuar se ne Kuvend kane mbetur pa u miratuar një sërë ligjesh të rëndësishëm e të domosdoshëm për integrimin e vendit, per të cilët duhët gjetur sa më parë rruga e dialogut