Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 10:06

Tiranë – Kryetari i LSI, Ilir Meta i ftuar dje në emisionin “Opinion” të gazetarit, Blendi Fevziu në TV Klan deklaroi se do diskutohet mundësia e shtimit të numrit të ministrive. Ai bëri të qartë se aleanca me PS-në do të zgjasë 8 vjet. 

“Mendoj se e kaluara ka sjellë mësime të vlefshme për të gjithë ne. Ne kemi detyrë të mësojmë jo vetëm nga gabimet tona, por të mësojmë dhe nga gabimet e Berishës, e demokratëve dhe e gjithë të tjerëve dhe në këtë kuptim të ecim më shpejt drejt një mënyre të re të bërit politik. Në raport me PS të jeni të sigurt që do të jetë një marrëveshje që do të funksionojë shumë mirë, sepse është një marrëveshje parimore dhe qeveria do të funksionojë si një e tërë. Do të ketë frymën e ekipit dhe të angazhimit të përbashkët kështu që nuk do të ketë disa nënqeveri”, ka thënë Meta.
I pyetur se a nënkupton kjo që marrëveshja mes PS dhe LSI do të zgjasë tetë vjet, ai ka thënë se “po kjo nënkuptohet”.