Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 13:24

Tiranë – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, përshëndeti sot vendimin që Gjykata e Lartë mori një ditë më parë, një vendim që, sipas tij, krijon mundësinë për gjykimin në themel të çështjes së video-përgjimit Meta-Prifti.

Në një konferencë për shtyp, Meta tha se vendimi i djeshëm i trupit gjykues, krijon mundësinë për transparencë të plotë dhe maksimale të të gjithë këtij procesi, i cili, sipas tij, ka patur si qëllim dëmtimin e forcës politike që ai drejton.

“Prokuroria nuk ka patur si qëllim të zbardhë këtë çështje, por ka vepruar si një celulë politike ekstremiste, për të dëmtuar personin tim dhe forcën politike që drejtoj ,vetëm për arsye elektorale”, u shpreh ai.

Duke vënë në dukje se organi qëndror i akuzës gjatë këtij procesi ka kryer shkelje të rënda të ligjit dhe procedurave, Meta theksoi se “dje u konfirmua që të gjitha ekspertizat ndërkombëtare, të bëra nga ana e prokurorisë janë të pavlefshme, sepse janë të paligjshme”.

Ai u shpreh se nëpërmjet tri ekspertizave të kryera nga prokuroria, është shkelur ligji dhe kodi i Procedurës Penale, duke dëmtuar në mënyrë të qëllimshme një proces, ku ajo kishte për detyrë të zbatonte ligjin dhe të zbardhte të vërtetën.

“Kjo tregon njëkohësisht se edhe kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit tim është bazuar në një ekspertizë të paligjshme dhe të pavlefshme. Kjo tregon se Prokuroria, që kërkon rritje të buxhetit të saj në Kuvend, ka shpërdoruar disa dhjetëra mijëra dollarë për ekspertiza qëllimisht të paligjshme dhe të pavlefshme”, nënvizoi kreu i LSI-së.

Ish-zv/kryeministri nënvizoi se organi qëndror i akuzës, me veprimet e saj, edhe politike, ka kryer edhe disa vepra penale në gjithë këtë proces ndaj tij.

“Dhe unë ndaj saj do të shfrytëzoj të gjithë legjislacionin shqiptar dhe evropian për të fituar të drejtat jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të qytetarëve shqiptarë, pasi ky është një problem social”, deklaroi Meta.

Duke vënë në dukje se shumë qytetarë i kanë treguar për raste ku prokuroria ka abuzuar me të drejtat e tyre, Ilir Meta e cilëson të domosdoshme një reformë serioze për Prokurorinë e Shtetit.

“Kemi një prokurori që kryen veprime të paligjshme, që shkel ligjin dhe procedurat, që e mban veten mbi ligjin dhe gjithmonë i çon çështjet të dëmtuara në gjykata dhe mundohet të dalë e larë nga këto çështje”, theksoi ai.

Në përfundim, kreu i LSI-së konfirmoi se do të marrë pjesë në të gjitha seancat e ardhshme gjyqësore ndaj tij.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi një ditë më parë që video-përgjimi mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit t’i nënshtrohet edhe një herë riekspertimit për të vërtetuar autenticitetin dhe më pas trupi gjykues do të vendosë nëse do të merret apo jo si provë në procesin gjyqësor.