Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 15:40

Tiranë – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta reagoi sot pas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë për tërheqjen e një prove të kërkuar nga prokuroria e cila ka të bëjë me kasetën e përgjimit Prifti-Beqiri.

Në një prononcim për mediat, Meta deklaroi se “tërheqja e të vetmes provë origjinale që kishte organi i akuzës, dëshmon marrëdhënien e pengmarrjes së prokurorisë me përgjuesin tim”.

Duke vënë në dukje se është e drejtë e gjykatës për të marrë vendime të tilla, kreu i LSI-së theksoi se “gjykata vepron mbi bazën e procedurave, por nuk mund të kërkojë Prokuroria sepse nuk është interesi i saj që të tërheq një provë, aq më tepër që të tërheq të vetmen provë origjinale që është kjo. I vetmi filmim origjinal që ekziston për këtë çështje, në atë që ka administruar Prokuroria dhe Gjykata është kjo provë. Kjo tregon qartë që kemi marrëdhënie pengmarrje mes Prokurorisë dhe përgjuesit tim, Dritan Prifti”, u shpreh Meta.

Sipas tij, organi qendror i akuzës ka tërhequr të vetmen provë të qartë me zë dhe me figurë dhe po përdor standarde të dyfishta.

Duke deklaruar se ky është një gjyq i prokurorisë kundër Ilir Metës, kreu i LSI-së u shpreh se “i vetmi dëshmitarë që ka prokuroria është i pavlefshëm nga ana juridike përveçse edhe morale, sepse është i pandehur”.

Ai shtoi se Prokuroria është duke favorizuar Priftin me qëllim që ky i fundit të vazhdojë të mashtrojë.

Në përfundim Ilir Meta, shprehu bindjen se ky proces megjithë shkeljet e rënda që kanë ndodhur që nga nisja e hetimeve, do të shërbejë si një analizë jo thjeshtë për të vlerësuar padrejtësitë apo shkeljet por për të goditur një herë e mirë në mënyrë ligjore gjitha lojrat politike ku përfshihet apo mund të përfshihet organi i akuzës.