Lajme Shqip Friday, 13 April 2012 09:00

Vlorë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është shprehur pro heqjes së imunitetit të deputetëve, në mënyrë që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit.

“Të gjithë t’i përgjigjen thirrjes të Bashkimit Europian, por edhe të LSI-së, që të gjithë politikanët dhe personat publikë të lenë imunitetin dhe të jenë të barabartë si të gjithë qytetarët e tjerë para drejtësisë dhe ligjit, sepse kjo është rruga më e mirë që politikanët t’i shërbejnë transparencës, por edhe marrjes të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian”, tha Meta nga qyteti i Vlorës, ku mori pjesë në Konferencën Zgjedhore të LRI-së.

Meta vuri në dukje ndryshimet e rëndësishme që po pëson Shqipëria, duke theksuar se “në këtë 100 vjetor Vlora dhe e gjithë Shqipëria ka nevojë  për mesazhe që i për bashkojnë shqiptarët dhe jo që i ndajnë, ka nevojë për mesazhe që e afrojnë Shqipërinë me Europën, jo me fjalë, por me vepra, jo me përdorim force dhe pretekste që ngadalësojnë reformat, por me votën e përfaqësuesve që ka zgjedhur Vlora dhe e gjithë Shqipëria në Kuvendin e Shqipërisë”.

Meta tha se “të gjithë kanë votuar, pavarësisht nga forca politike, edhe në qershor të vitit 2009, që shqiptarët të udhëtojnë si qytetarë europianë pa viza në Bashkimin Europian dhe sot ky është një realitet, ndaj sot të gjithë politikanët në Parlament të votojnë reformat që kërkon Shqipëria evropiane, reforma që kërkon BE”. Kjo, sipas tij, është e vetmja rrugë për t’i shërbyer kësaj aspirate mbarëkombëtare, pavarësisht nga dallimet partiake.  (LajmeShqip.com)