Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 11:59

Tiranë- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shprehet se shqetësimi i qytetarëve për armët kimike nuk është i pabazë. Duke folur për A1Report kreu i Kuvendit tha se ai nuk ka qenë pjesë e bisedimeve për armët kimike.

 

“Së pari, qytetarët nuk do t’i quaja turmë. Së dyti, nukmendoj se ky është rasti në fjalë, sepse shqetësimi i qytetarëve ka pasur një bazë reale, i cili nuk ka të bëjë thjesht me mungesën e informacionit (në rast se do të zhvillohej një operacion i tillë: çfarë elementesh do të përfshinte ai? Cilat ishin kapacitetet e Shqipërisë për të ofruar një siguri të plotë?), por ishin disa shqetësime, që kishin ardhur, së pari, për shkak të një propagande mbarëbotërore të një arsenali të frikshëm të armëve kimike të Asadit, gjë që edhe u provua, sepse një përdorim i tyre solli vdekjen e qindra qytetarëve sirianë. Kjo ishte edhe arsyeja pse u kthye ky aksion, i cili ishte një aksion mjaft i rëndësishëm ndërkombëtar. Së dyti, mendoj se ky shqetësim erdhi edhe për shkak se në të kaluarën ne kemi pasur disa shqetësime, disa probleme, siç ishte rasti më flagrant ai i Gërdecit apo edhe raste të tjera të përmasave më të vogla, ku është vënë re që operacione të tilla kërkojnë kapacitete shumë të fuqishme për të pasur një siguri të plotë. Pra, nuk mund të themi se ka qenë një shqetësim pa baza. Kështu që, në këto dy drejtime,mendoj se qeveria kurrsesi nuk mund t’i injoronte këto shqetësime, për më tepër që edhe vetë, me sa duket, ka ekzistuar një bindje e përgjithshme, që kapacitetet tona nuk kanë qenë plotësisht të mjaftueshme apo të sigurta, për të garantuar një siguri absolute të një operacioni kaq delikat. Nuk mund të flas, sepse unë nuk kam qenë pjesë e diskutimeve konkrete, por e di shumë mirë që edhe Kryeministri Rama ka qenë i qartë dhe i bindur se ky proces nuk i takonte Shqipërisë” u shpreh Meta.