Lajme Shqip Saturday, 24 March 2012 15:46

Tiranë-Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vlerësoi sot kontributin e paçmueshëm të grave dhe vajzave të LSI-së në çdo sfidë të saj.

Gjatë punimeve të Konventës së Forumit të Lëvizjes së Gruas për Integrim, që u mbajt gjatë paradites së sotme, Meta theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian ka nevojë për dashurinë e nënave dhe vajzave për finalizimin e saj dhe jo për politikën e mbrapshtë që ka penalizuar herë pas here këtë proces.

“Është një kënaqësi e veçantë dhe ju falenderoj për kontributin. LSI do të fitojë të gjitha sfidat, sepse në radhë të parë e mbështetni ju, me gjithë energjinë dhe sakrificën tuaj. Një sfidë kjo për të çuar përpara Shqipërinë në BE, dhe kjo ka nevojë për dashurinë tuaj dhe jo për ligësinë e politikanëve që bllokojnë proceset integruese”, tha Meta.

Kreu i LSI apeloi që t’i jepet fund konflikteve politike, pasi më shumë se kurrë, u shpreh ai, Shqipëria ka nevojë për dashuri.

“Shqipëria ka nevojë për dashurinë tuaj, nënave, grave dhe nuk ka nevojë për ligësinë e atyre politikanëve që për ligësinë personale, në vend që të ndihmojnë vendin të ecë përpara, shtojnë pengesat dhe vështirësitë për  ecjen përpara të vendit”-tha ai. (LajmeShqip.com)