Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 13:02

Tiranë -Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi mbrëmë në një intervistë në emisionin “Debat”, në Vizion Plus, se fitimi i statusit të vendit kandidat për në BE është një përgjegjësi që i takon çdo politikani shqiptar.

Në lidhje me koalicionin me PD-në Meta u shpreh se “në atë kohë ka qenë një situatë mjaft dilematike sepse dihet që një nga angazhimet tona ishte largimi i asaj qeverisje dhe z. Berisha nga pushteti, dihet dhe, që edhe një javë përpara përfundimit të zgjedhjeve, së bashku dhe me përfaqësues të tjerë të së majtës, kemi bërë një apel të fundit në një takim në Hotel ‘Tirana’, duke i kërkuar një takim dhe kryetarit të PS me qëllim që të bashkërendohej sa më shumë të ishte e mundur, në mënyrë që energjitë të mos harxhoheshin kaq shumë kundër njëri-tjetrit, qoftë dhe në javën e fundit. Dihet përgjigja injoruese ndaj këtij mesazhi”.

Pastaj kishte dy zgjidhje, tha Meta, ose të dilnim në rrugë sepse çdo koalicion me PS nuk sillte asgjë, ndërkohë që ishin dhënë mesazhe më parë për trazira në Fier dhe diku tjetër. “Ishte zgjidhja e vetme për të qenë një faktor stabiliteti, pra maxhoranca me PD. Kjo ishte një tabu në atë kohë, por LSI është dalluar për të sfiduar çdo paragjykim. Në një farë mënyre ishte dhe një bast i madh në kuptimin e një të papriture, sepse raporti ynë me PD kishte qenë një raport ballafaques, konfronutes si një forcë opozitare që kishim qenë. Por, sot mund të them se, pas kësaj eksperience, në të tilla kushte ky koalicion do të ishte firmosur shumë më i bindur dhe më i qetë”, u shpreh Meta.

Pyetjes se kur do të rikthehet në qeverisje Meta iu përgjigj se “kjo është një pyetje të cilës unë i jam përgjigjur duke aderuar menjëherë pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor, në Komisionin Parlamentar të Integimit Europain. Mendoj se ka qenë një mesazh i qartë për të gjithë. Ky është prioriteti i Ilir Metës, ky është edhe prioriteti kryesor i LSI”.

Në lidhje me statusin e vendit kandidat, Meta tha se “ne duhet të kuptojmë se cilido politikan apo forcë politike që kanë një votë, pas kësaj vote duhet të mbajë këto përgjegjësi sepse kanë votën e qytetarit, nuk janë votat e tyre private. 

“Jemi në 100-vjetorin e pavarësisë, duhet treguar kjo maturi, kjo pjekuri. Por, kemi parasysh që Shqipëria ka pasur, ka dhe do të ketë një rol të rëndësishëm në këtë rajon dhe natyrisht që është në dinjitetin e këtij roli që Shqipëria ka pasur dhe duhet të ketë në të ardhmen. Po kështu të mos harrojmë që Europa, pavarësisht se ajo vazhdon politikën e saj të zgjerimit, nuk ka më atë entuziazëm që ka pasur para 5 apo 10 vjetësh sepse ka problemet e saj të papritura. Kështu që edhe ndonjë entuziazëm ne nuk duhet të presim dhe këtë ne duhet ta kompensojmë me një rritje të përgjegjësisë sonë”-tha Meta. (LajmeShqip.com)