Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 23:19

Tiranë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha sot në një takim me drejtues të Lëvizjes Rinore për Integrim të kryeqytetit, se sfidat që kalon vendi kërkojnë iniciativa dhe programe konkrete.

Duke vlerësuar punën e LRI-së të Tiranës, Meta tha se është kënaqësi që të shohim që premtimet tuaja elektorale, të Lëvizjes Rinore për Integrim janë duke u shndërruar në realitet dhe që ato nuk ju ndihmojnë thjesht ju, por ndihmojnë të gjithë të rinjtë e kryeqytetit, madje edhe të gjithë Shqipërisë që studiojnë në Tiranë.  

“Hapja e shkollave të reja, të munguara prej kaq kohësh në kryeqytet, krijimi i kurseve të formimit profesional, i mundësive të reja për punësim si sfida kryesore të afirmuara prej jush gjatë fushatës për Këshillin Bashkiak, kemi vënë re që janë vënë në rrugë të mbarë gjatë këtyre 100 ditëve të para të punës së Bashkisë dhe po konkretizohen edhe falë bashkëpunimit, por edhe mbështetjes që ju i jepni Kryetarit të ri të Bashkisë”, tha Meta.