Lajme Shqip Thursday, 25 August 2011 08:09

Tiranë – LSI ka mbajtur qëndrime të qarta në momentet më kritike të demokracisë, u shpreh dje kreu  i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, në një takim që zhvilloi në bregdetin e Jalës, në Himarë, me të rinj dhe simpatizantë të kësaj force politike.

Meta tha se “LSI ka mbajtur qëndrimet më të kristalta në momentet me kritike të demokracisë, të jetës politike, të stabilitetit të vendit, kur ai është vënë në pikëpyetje nga faktorë të caktuar”.

Duke folur mbi kërkesën e PS-së për ndryshimet kushtetuese, Meta u shpreh se “sot, ata që bënë kodin zgjedhor, thonë që e bëmë gabim, por ne e thamë përpara se ta bënin kodin. Sot, ata që nxitën ndryshimet kushtetuese në mënyrë jo transparente, thonë që i bënë gabim, por ne ua thame përpara se t’i bënin dhe nuk i morën në konsideratë”.

Kreu i LSI-së vlerësoi anëtarësimin e forumit rinor të kësaj force politike, LRI-së, në Internacionalen Socialiste të të rinjve. “Dimensioni që ka LRI i ka kapërcyer kufijtë e vendit”, tha Meta, ndërsa shprehu mbeshtetjen e tij për rritjen e përfaqësimit të kësaj organizate.