Lajme Shqip Saturday, 21 December 2013 20:28

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta thotë se, qeveria është e vendosur për të luftuar korrupsionin, krimin dhe vendosur zbatimin e ligjit. Duke komentuar arrestimin e kreut të Bashkisë Kamëz, Meta u shpreh se, premtimi kryesor është standarde më të larta për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. 

“Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë është mjaft e vendosur dhe mjaft e përkushtuar për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar krimin, për të luftuar korrupsionin, për të luftuar informalitetin si rruga më e sigurt për të mbrojtur interesin publik. Premtimi kryesor është standarde më të larta për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Dhe për këtë na duhet edhe integrimi në Bashkimin Evropian. Në rast se nuk realizohen këto dy të parat edhe kjo e fundit natyrisht që nuk është ajo që mendojmë dhe dëshirojmë të gjithë”, është shprehur kreu i Kuvendit.

Meta komentoi edhe buxhetin e vitit 2014, ku ka veçuar faktin se arritja më e madhe është krijimi i mundësisë së shlyerjes së borxheve që qeveria ka ndaj biznesit për veprat publike të realizuar nga kompanitë private. Sipas tij, kjo gjë do të çlirojë ekonominë nga ngërçi i krijuar. 

Sa i takon ndryshimit që do të pësojë tatimi mbi fitimin, ai siguroi se kjo masë nuk do të ndikojë në klimën e biznesit. 

Meta vizitoi sot qytetin e Lezhës, ku mori pjesë në një aktivitet të organizuar me rastin e festave të fundvitit për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës./Shekulli/