Lajme Shqip Wednesday, 18 December 2013 15:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka reaguar mbi akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha për refuzimin e statusit kandidat. Meta me ironi i është kundërpërgjigjur ish-aleatit të tij se po bëhet më “holandez”, se kreu i PD-së, Lulzim Basha.

“Lidhur me statusin më të fundit në Facebook të z. Berisha dhe me akuzat dhe përgjegjësitë e tij për lajmin e djeshëm, do ta ftoja për shkak të eksperiencës së gjatë që ka dhe të përgjegjësive që ka në politikë, që ta përmbajë kënaqësinë edhe pse ajo mund të jetë jo shumë e menduar dhe e arsyetuar sepse duket se është gati të shpallet më holandez se kryetari i partisë së tij”, deklaroi kreu i LSI-së Meta.

“Ndërkohë që për mua, ju e dini, që përkrahja për Holandën në futboll nuk do të mungojë siç ka qenë edhe në të kaluarën kur ajo ka eënë në ditët më të mira edhe sot që ajo nuk është në ditët më të mira sepse jam i bindur se e mira do të vijë edhe për Holandën në futboll.”

Kryetari i Kuvendit lidhur me të ardhmen e Shqipërisë në BE u shpreh se, shqiptarët janë të integruar në Evropë e do integrohen në mënyrë të pakthyeshme. Duke folur për refuzimin nga Këshilli i BE-së, Meta tha se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë argumentuar mjaft mirë dhënien e statusit kandidat, shkruan shekulli.

“Nuk është Shqipëria ajo që përcakton procedurat e marrjes së vendimeve në Bashkimin Evropian. Kjo është një çështje që Evropa e bashkuar duhet ta zgjidhë në të ardhmen. Ne do të vazhdojmë në rrugën e integrimit sepse ne reformat i bëjmë në radhë të parë për qytetarët tanë. Do të vazhdojmë të përqendrohemi në forcimin e ligjit dhe të reformat ekonomike”, tha ai.