Lajme Shqip Friday, 10 May 2013 15:02

Shkodër – Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim në Shkodër ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë në këtë qark. Në fjalën e tij, kreu i LSI-së Ilir Meta ka premtuar se brenda 2 mandateve “Aleanca për Shqipërinë europiane” do ta anëtarësojë vendin në Bashkimin Europian. Gjithashtu Meta i bëri thirrje kryeministrit Berisha të pranojë propozimin e LSI-së miratimin e 3 ligjeve brenda këtij mandati të Parlamentit dhe hyrjen e tyre në fuqi, me nisjen e punës së legjislativit të ri, shkruan “Oraneës”. “Ka disa ditë që unë në emër të LSI-së kam propozuar një kompromis për miratimin e tre ligjeve në Kuvend brenda këtij mandati, duke kërkuar si kompromis hyrjen e tyre në fuqi me Parlamentin e ri dhe arsyeja ka të bëjë me faktin se nuk mjafton vetëm të miratojmë ligjet, por edhe të respektojmë frymën e tyre. Bëhet fjalë për reforma shumë të rëndësishme, por në mënyrë të veçantë për zbatimin e ligjit për Gjykatën Administrative. Ndërkohë që kreu i PS-së e ka pranuar kompromisin jam i zhgënjyer që  kreu i PD-së  bën sikur nuk e kupton këtë kompromis duke kërkuar që ligjet të hyjnë në fuqi menjëherë sepse prioritet i tij mesa duket është mbushja e gjykatës së lartë me militantë. Unë shpresoj që të jem i gabuar  dhe Berisha për hir të integrimit të shqiptarëve ta pranojë kompromisin e LSI-së dhe Shqipëria të ecë përpara në Bashkimin Europian, sepse integrimin nuk e duam për vete, por për të gjithë qytetarët e këtij vendi. E ftoj Berishën që të ngrihet mbi interesat e ngushta mbi përllogaritjet e 23 qershorit dhe t’i thotë po tre ligjeve” tha Meta.