Lajme Shqip Friday, 02 March 2012 20:05

Tiranë- Në vijim të vizitës në në Gjermani, lideri i LSI-së Ilir Meta zhvilloi takime me zëdhënësin për Poltikën e Jashtme të grupimit më të madh në Bundestag, CDU -CSU, Philipp Missfelder, zëdhënësin për Çështjet për Ekonominë të po këtij grupimi parlamentar Joachim Pfeiffer si dhe takimin me përfaqësuesin e Social Demokratëve në Komitetin e Jashtëm të Bundestagut, Ditemar Nietan.

Zyra e shtypit e LSI-së bëri të ditur se në një intervistë dhënë për DW,  Meta tha se objekt i takimeve në Berlin ishte intesifikimi i kontakteve me forcat politike në Gjermani dhe në Bundestag dhe shkëmbimi i pikëpamjeve lidhur me progresin e mundshëm drejt BE-së.

Lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE dhe mos marrjen e statusit të vendit kandidat, Meta shprehet se Shqipëria duhet ta kishte marrë kohë më parë statusin e vendit kandidat dhe kohë e çmuar është humbur në këtë drejtim.

“Arsyeja kryesore ka qenë mungesa e përgjegjësisë dhe nivelit të duhur të poltikës sonë, pa synuar për ta lokalizuar dhe specifikuar në mënyrë të veçantë. Në fund të fundit çdo lloj papërgjëgjshmërie, kudo që ajo mund të veçohet apo të identifikohet, është një përgjegjësi që i mbetet klasës politike në vend”, tha Meta.

Sipas tij, klasa politika duhet të jetë serioze në mënyrë që të fitojë besueshmërinë nga Bashkimi Europian. “Dihen prej kohësh prioritet e rekomandimet e bëra publike dhe njëkohësisht dihet se ka munguar vullneti i qartë për të votuar jo vetëm këto ligje, por edhe për të treguar seriozitetin rreth këtij procesi, për të vendosur një interes mbarëkombëtar si integrimi, mbi axhendat e ngushta politike të çdo force politike apo drejtuesi”, nënvizoi kreu i LSI-së.

I pyetur nëse “Aleanca Kuq e Zi”, do jetë  një faktor në zgjedhjet e vitit 2013, Meta u shpreh se “vlerësoj çdo inciativë të re, çdo guxim për të sjellë lëvizje të reja në poltikën shqiptare, por ato duhet të jenë konstruktive dhe në atë linjë që është i orientuar një objetiv mbarëkombëtar: integrimi europian”./