Lajme Shqip Friday, 03 August 2012 07:42

 

Ish-Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesic, të enjten u nderua me titullin “Qytetar nderi”, titull ky të cilin ia ndau Komuna e Shëngjinit.

Gjatë ceremonisë së marrjes së titullit, Mesic nuk u kursye së foluri për popullin shqiptar dhe padrejtësitë e bëra ndaj tij.

Ai ka thënë se çlirimi i Kosovës nga Serbia është korrigjim i vetëm një nga ato padrejtësitë e bëra. Ndërkohë që ka kujtuar se shqiptarët janë populli më i vjetër në Europën Juglindore.

“Sllavët e jugut erdhën në Shekullin VII në Evropën Juglindore, ndërsa shqiptarët erdhën në Evropë përpara romanëve”, ka thënë ai të enjten para gazetarëve në Shqipëri.

Mesic ndër të tjera ka thënë se për Europën do të mund të flitej mirë vetëm atëherë kur shtetet shqiptare të jenë pjesë e Bashkimit Europian.

“Kroacia është në prag të hyrjes në Bashkimin Europian. Gjithashtu shpresoj dhe vlerësoj që edhe Shqipëria të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat. Atëherë kur rajonet e tjera do të futen në Bashkimin Europian, atëherë do të themi se Europa është duke bërë një punë të madhe”, ka thënë ish-Presidenti kroat.

Duke komentuar ndërkaq deklarimet e liderëve të rinj serbë, të cilët proklamojnë një luftë të mundshme në rajon për shkak të çështjes së Kosovës, Mesic ua ka kujtuar atyre se luftërat në rajon kanë përfunduar.

“Duhen hapur edhe kufijtë për t’u dhënë të rinjve vullnetin për të punuar së bashku për integrimin në BE. Serbia nuk është e detyruar të njohë Kosovën nëse nuk e dëshiron diçka të tillë, me rëndësi është të vendoset bashkëpunimi Serbi-Kosovë dhe më gjerë në rajon”, ka thënë Mesic.

“Kosova është realitet dhe kjo s’mund të ndryshohet, ndaj duhet të bashkëpunojmë me Kosovën”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm Panariti e vlerësoi të frytshëm takimin dhe shprehu bindjen për forcim të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Diskutuam për zhvillimet në rajon, bashkëpunimin bilateral Shqipëri-Kroaci, krijimin e hapësirave për lëvizje të lirë dhe krijimin e tregjeve rajonale. Diskutuam për situatën në rajon, atë në Serbi dhe Kosovë. Ndamë idenë se Kosova është realitet i pakthyeshëm dhe krijimi i një klime bashkëpunimi mes Kosovës dhe rajonit, por dhe Kosovë dhe Serbisë do t’i shërbejë integrimit në BE të gjithë rajonit të Ballkanit”, u shpreh Panariti.

Titullin “Qytetar nderi” ish- Presidentit kroat ia dorëzoi Kryetari i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj. Tituj të ngjashëm u janë ndarë edhe ish- Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe atij të Shqipërisë, Alfred Mojsiu, duke i quajtur këta arkitektë të ndryshimeve në rajon.

Mesic e vlerësoi këtë titull si dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta për të mirën e popujve të rajonit.

“Ne nuk kemi kërkuar gjë tjetër, përveçse që shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre, ashtu si të gjithë popujt e tjerë të rajonit”, ka thënë Mesic.