Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 09:03

Tiranë – Ceremonia Shtetërore për të nderuar pretendentin e fronit mbretëror, Leka Zogu I, i cili u nda nga jeta në 30 nëntor, do të zhvillohet sot në ora 10.00-12.00 në hollin e Kuvendit të Shqipërisë, ku Familja Mbretërore dhe të afërmit e saj do të presin ngushëllime.

Në ora 10:00, arkivoli me trupin e pajetë të Leka Zogu I do vendoset në oborrin e Kuvendit, ku përfaqësuesit e feve Islame, Ortodokse, Katolike dhe Bektashiane do të bëjnë lutje për shpirtin e tij. Pas lutjeve do të ketë një fjalim lamtumire dhe nderimet ushtarake ceremoniale nga Garda e Republikës.

Pas homazheve, trashëgimtari i fronit mbretëror, me uniformën e vet ushtarake, siç e la amanet, do të prehet në Varrezat e Sharrës, pranë eshtrave të së ëmës, mbretëreshës Geraldinë dhe bashkëshortes së tij, Suzanë, e cila ndërroi jetë në vitin 2006.

Kryeministri Sali Berisha e shpalli të shtunën, 3 dhjetor, ditë zie kombëtare, për të nderuar kujtimin e trashëgimtarit të mbretit Zog, Leka i Parë.

Sot të gjithë flamujt kombëtarë do të jenë të ulur në gjysmë shtizë dhe në mesditë do të mbahet një minutë heshtje, në rrugë e kudo qoftë, sikundër parashikon edhe Protokolli i Shtetit për Ditën e Zisë Kombëtare, ndërsa RTVSH do të transmetojë muzikë funebre.

Qeveria ka ngritur Komisionin Shtetëror, të kryesuar nga zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto, dhe të përbërë nga Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; si dhe një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar; një përfaqësues i Protokollit të Shtetit; dhe një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ceremonia zyrtare e homazheve për të nderuar trashëgimtarin e fronit mbretëror, Leka i Parë, i cili u nda nga jeta mëngjesin e të mërkurës në Reanimacionin e Spitalit Neurokirurgjik të Tiranës, në moshën 72-vjeçare, do të zhvillohet në hollin e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që i tërë ceremoniali do të përballohet nga fondet e buxhetit të vitit 2011 për MPJ-në.

Ndërkohë Policia e Tiranës, ka njoftuar se ka marrë masat e nevojshme lidhur me ceremoninë mortore të pretendentit të Fronit Mbretëror, Leka Zogu I.

Në deklaratë thuhet se “nga ora 08.00 deri në orën 13.00, do merren masat për bllokimin e trafikut dhe moslejimin e parkimit te mjeteve në segmentin rrugor përgjatë rrugës “Xhorxh W. Bush” nga sheshi “Sulejman Pasha” deri te Bulevardi “Zhan D’Ark”, Ura e rrugës së Elbasanit”.

Për ceremoninë e sotme zyrtare kanë konfirmuar praninë e tyre LT Princi Paul i Rumanisë, së bashku me Princeshën, Baroni Rafael Henri Estramant, si dhe përfaqësues nga Unioni Monarkist Italian.

Familja Mbretërore ka marrë me mijëra telegrame ngushëllimi, ndër të cilët ato të Madhërisë së Tij Juan Carlos, mbret i Spanjës dhe të Familjes Mbretërore Britanike, si dhe një telefonatë nga Familja Mbretërore Belge.

Të enjten në ditën e dytë të homazheve shprehu ngushëllimet e tij Kryeministri Sali Berisha. Ndërsa dje, në ditën e tretë të homazheve me rastin e ndarjes nga kjo jete të Leka Zogu I, shprehën ngushëllimet e tyre mijëra qytetarë dhe personalitete të jetës shoqërore dhe politike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Çamëria, Mali i Zi, por edhe nga Evropa dhe Amerika.

Gjatë ditës së djeshme shprehën ngushëllimet e tyre Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ministrat Bujar Nishani, Genc Pollo, Aldo Bumçi, Fatmir Mediu, Ridvan Bode, Eduart Halimi, zv/ministrja e Punëve të Jashtme, Edit Harxhi, etj.

Po ashtu ngushëllimet e tyre paraqitën edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Selim Muça; zotërinjtë Fatos Nano, Ilir Meta, Neritan Ceka; Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Tasim Mema; Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj si dhe mjaft personalitete të tjera.

Ndërkohë shumë përfaqësues të politikës shqiptare nuk kanë nguruar të njohin vlerat patriotike të birit të mbretit Zog, Lekës së Parë.

Trashëgimtari i Fronit Mbretëror Shqiptar, i cili jetoi një jetë të tërë në mërgim, ia kushtoi tërë jetën Shqipërisë. Ai nuk mundi ta njohë Shqipërinë, pasi iku prej saj foshnje dyditëshe, në momentin kur Shqipëria u sulmua nga Italia fashiste, për t’u rikthyer përgjithmonë vetëm në vitin 2002. Por, përpjekjet e Familjes Mbretërore kanë qenë të shumta për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.