Lajme Shqip Saturday, 20 August 2011 12:18

Tiranë – Pas disa orëve negociata, minatorët të cilët ndodheshin prej 27 ditësh në grevë urie, kanë dalë nga niveli 14-të i minierës së Bulqizës, duke respektuar vendimin e gjykatës të Qarkut Dibër.

Përgjatë gjithë natës, Forcat Speciale të Policisë kanë rrethuar minierën e Bulqizës, duke filluar negociatat për zbatimin e vendimit të gjykatës. Vendimi u zbatua me konsensus vetëm në mëngjesin e të shtunës, kur komisioni i grevës, së bashku me Kol Nikollën, kreu i konfederatës së sindikatës së minatorëve, vendosën që minatorët grevistë të dalin jashtë minierës dhe të nisin të negociojnë me ACR për kërkesat e tyre.

Në lidhje me këtë vendim, Nikolla theksoi se “në rast se ACR nuk do të nënshkruajë marrëveshjen, asgjë nuk i ndalë minatorët të vijojnë grevën në sipërfaqe të tokës”.

Ndërkaq, në përfundim të aksionit, Kreu i Forcave Speciale të Policisë, Shemsi Preci, deklaroi se “grevistët dolën jashtë nga miniera, pas negociatave të cilat vazhduan për gjatë gjithë natës. Ata u dërguan në spital për të vlerësuar gjendjen e tyre dhe për të marrë mjekimin e nevojshëm”, tha ai, duke e cilësuar këtë aksion të ndërmarrë nga Forcat e Policisë konform rregullave dhe ligjeve.