Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 11:34

Berlin-Serbianuk mund të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, pasi nuk ka përmbushur kriteret e kërkuara. Ka qënë kjo deklarata e kancelares gjermane Angela Merkel, gjatë fjalimit të saj sot në Bundestag, ku e bëri të qartë se e vetmja mënyrë që Serbia të bëhet pjesë e BE-së është përmes normalizimit të marrëdhënieve të saj me Kosovën. Merkel nuk harroi të përmendë edhe plagosjen e dy ushtarëve gjermanë të KFOR-it në veri të Kosovës, duke kujtuar se ata po bëjnë një punë të shkëlqyer.

“Më vjen vërtet keq që Serbianuk ka mundur deri tani të përmbushë kriteret e kërkuara për marrjen e statusit kandidat për në BE. Serbianuk mundet veçse të fajësojë veten pasi ka kontribuar për atmosferën e ditëve të kaluara ku dy ushtarë gjerman të KFOR-it u qëlluan me armë dhe u plagosën në veri të Kosovës. Ushtarët tanë atje po bëjnë një punë të mrekullueshme”-tha Merkel. Analistët thonë se pas një deklarate të tillë të kancelares Merkel është mëse e qartë se javën e ardhshme Serbia nuk do të marrë dot statusin e vendit kandidat për në BE, pasi edhe nëse Gjermania do të jetë e vetmja nga 27 vendet e bllokut që do të kundërshtojë, propozimi i KE-së nuk do të mund të miratohet pasi vendime të tilla kërkojnë unanimitet brenda unionit. Kancelarja shtoi se BE dëshiron që si Serbia  dhe Kosova ti bashkohen unionit në një periudhë afatgjatë dhe që BE të vazhdojë të funksionojë. (LajmeShqip.com)