Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 14:39

Shtutgart-Ashtu siç kishte paralajmëruar që në dhjetor të vitit të kaluar Mercedes Benz ka anuluar kontratën për ti shitur automjete qeverisë së Kosovës nëpërmjet kontraktuesve vendorë, duke cituar korrupsionin e përhapur në vend.

Lajmi raportohet nga agjencia SETimes, e cila ka marrë konfirmim nga vetë prodhues gjerman. “Ne vendosëm të bënim biznes me institucionet qeveritare… vetëm nëpërmjet transaksioneve direkte në disa vende të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe Kosovën” tha West von Vellberg, menaxheri për Daimler AG Comunications.

Vendimi ka nxitur një debat që ka kohë që prek vendin, që mban një reputacion tepër të dëmtuar, edhe për arsyen se vendi më i varfër në Europë e ka apo jo të nevojshme të blejë makina luksi.

“Tani, nëse qeveria dëshiron të marrë automjete duhet të negociojë drejtpërdrejtë me prodhuesin në Gjermani” kanë thënë drejtues të Mercedes Benz.

Kontraktuesit në Kosovë të Mercedes Benz, si DTBH Gmbh, e mohojnë vërtetësinë e raportit të mediave dhe u shprehën se do vazhdojnë ti shesin automjete institucionve dhe personave individual.

Këtë vit qeveria hoqi mënjanë një shifër prej 3 milion euro për të blerë automjete. Një vendim ky në kundërshtim me premtimet e kryeministrit Thaçi për të ulur shpenzimet për automjete. Për 2011-ën Transparency International e listoi Kosovën në vend të 112 nga 183 vende në listën botërore të korrupsionit, duke rënë dy vende në krahasim me një vit më parë.