Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 16:50

Tiranë – Ish presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, aktualisht anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste shprehet dyshues nëse PS do të mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme të 2013-s, me në krye Edi Ramën.

Në një intervistë televizive, Meidani i pyetur nëse PS-ja i fiton zgjedhjet e ardhshme me kryetar Ramën u shpreh se është paksa e vështirë, pasi për fitore kërkohet bashkimi i forcës kryesore politike me forca të tjera.

“Është paksa e vështirë që të bësh prognozë që sot, por mund të them që me këtë sistem zgjedhor kërkohet bashkim, jo vetëm brenda forcës politike, por kërkohet bashkim dhe i forcës kryesore politike me forca të tjera, me programe dhe aspirata te ngjashme”, shprehet Meidani.

Në këtë kuptim, vijon ai, “këtë e kuptoi më mirë Partia Demokratike dhe Sali Berisha, i cili në vitin 2009 i afroi të gjitha partitë që ishin të gatshme për të bashkëpunuar në atë Aleancë me PD-në. Këtë nuk e ndjeu Partia Socialiste dhe dyshoj se kjo nuk është kuptuar siç duhet nga drejtimi aktual i saj. Për të bërë bashkim kërkohet dëshirë për të bashkëpunuar, kërkohet me shumë sjellje njerëzore, kërkohet transparencë dhe më shumë hapje. Në këtë kuptim, ende nuk mund të them që mund ta realizojë një gjë të tillë plotësisht Edi Rama”, nënvizon ish-Presidenti i Republikës.