Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 18:51

Tiranë – Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, njëkohësisht ministër i Mjedisit, e konsideroi sot një hap shumë pozitiv rikthimin në Kuvend të deputetëve të Partisë Socialiste, e cila sipas tij ndihmon në realizimin e reformave integruese.

“Kthimi i opozitës padyshim është një hap shumë pozitiv, pavarësisht nga fjala e kryetarit të PS-së, një fjalë në përsëritje të traditës së vjetër, të kritikës apo anatemimit pa arritur të merren përgjegjësi konkrete apo për të përçuar përgjegjësi konkrete si kryetar i opozitës”, vërejti kryetari i PR-së gjatë një interviste televizive.

Por, ai mendon se, “vetë qëndrimi politik i përfshirjes në komisionet parlamentare dhe në diskutimin apo votimin e ligjeve do ta bëjë jetën parlamentare më të larmishme dhe më të dobishme për të realizuar reformat e aspektit ekonomik dhe që nuk mund të zhvillohen drejt, nëse nuk do të kenë dhe vëmendjen e opozitës”.

“Një sjellje e mençur e PS-së në Kuvend do t’i jepte një imput dhe më të madh maxhorancës për të vepruar me një koshiencë më të lartë sa i takon jo vetëm raporteve politike, por edhe qëllimeve të përbashkëta që ka shoqëria dhe politika shqiptare”, thekson kryetari i PR-së, pjesë e koalicionit qeverisës.

Lidhur me statusin e vendit kandidat në BE, Mediu shpreson që Shqipëria të ketë shanse pozitive, por sipas tij të gjithë forcat politike së bashku duhet të eleminojnë atë perceptim negativ, të krijuar përgjithësisht për politikën shqiptare, dhe konfliktet e vazhdueshme në Kuvend cënojnë raportet me Shqipërinë.

“Ka ardhur momenti, që komisioni i jashtëm në parlament të shqyrtojë me urgjencë maksimale të 12 pikat e kërkuara nga Brukseli dhe më pas të ngrihet një task forcë parlamentare për të ndjekur mënyrën se si ekzekutivi sillet në raport me plotësimin e detyrimeve të përbashkëta politike”, nënvizoi Mediu.

Lidhur me reformimin e kodit zgjedhor, ai tha se, respektimi i standardeve të OSBE/ODIHR është një detyrim politik për të kuptuar se si duhen administruar zgjedhjet, ndërkohë që sipas tij thelbi i problemit qëndron tek mosfunksionimi i drejtë i demokracisë shqiptare.

“Partitë politike përfaqësohen në Kuvend përmes një formule që ka shtrembëruar vullnetin e zgjedhësve dhe jo sipas asaj që është votuar dhe kjo vjen për shkak se sistemi zgjedhor nuk është një sistem i drejtë”, shprehet ai.

Mediu nënvizon se sistemi aktual zgjedhor jo vetëm ka atrofizuar jetën politike shqiptare dhe ka humbur debatin rreth ideve që përfaqësojnë të dy krahët e politikës, por ai e ka bërë trupën e zgjedhur shumë më të papërgjegjshme në raport me qytetarët që i kanë zgjedhur.

“Kjo, pasi pjesa më e madhe e deputetëve të Kuvendit janë deputetë të emëruar dhe jo deputetë të zgjedhur”, vëren kreu republikan.

Në gjykimin e tij, lidhur me amendimin e ligjit zgjedhor, Mediu vlerëson se problemet gjatë zgjedhjeve krijohen nga administrimi i procesit zgjedhor, pasi sipas tij nëse do të respektoheshin rregullat e administrimit nuk do të kishte kontestim të rezultatit.

“Çështja në gjykimin tim është se komisionet zgjedhore sillen politikisht. Ka ardhur koha të lëmë mënjanë çështjen e administrimit politik dhe të shikojmë konceptin e administrimit civil të procesit, për t’i dhënë shanse e mundësi të ndihen të barabarta të gjitha forcat politike dhe jo tre apo katër parti të kenë monopolin e kontrollit dhe vendimmarrjes zgjedhore, siç ka ndodhur së fundi”, nënvizoi kryetari i Partisë Republikane.