Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 17:20

Tiranë – Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha sot se fitorja e Lulzim Bashës në Tiranë është fitore e të gjithë shqiptarëve.

“Fitorja e Bashës na dha të gjithëve mundësinë për ta parë politikën të lidhur me interesin e qytetarëve. Fitorja është e jashtëzakonshme dhe u arrit falë një fushate elektorale shumë pozitive. Ajo është një fitore ndaj kryetarit të Bashkisë, por dhe ndaj liderit të opozitës shqiptare”, tha kryetari republikan, gjatë një analize që PR i bëri zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Duke bërë bilancin e këtij procesi zgjedhor, Mediu vlerësoi nivelin e kandidatëve të cilët i konsideroi si njerëzit që i dhanë fitoren kësaj partie, pjesë e koalicionit “Aleanca për qytetarin”.

“PR është sot partia e dytë e së djathtës me 5% të votave të shqiptarëve dhe mbi 5.5% të vendeve në këshillat komunalë dhe ata bashkiakë, e renditur në një distancë të dukshme me partitë e tjera”, tha Mediu, njëkohësisht ministër i Mjedisit.

Por, vijoi ai, të gjithë jemi koshientë që mundësitë, gjykimet dhe puna jonë po të jetë më këmbëngulëse, rezultatet mund të jenë shumë herë më të larta”.

Mediu theksoi se “ka ardhur koha që të ulemi me këmbë në tokë dhe të dëgjojmë drejt dhe me vëmendje zërin e atyre njerëzve, në komuna e bashki, që kanë qenë me ne në kohët më të vështira dhe ndoshta janë shpërfillur në kohët e qeverisjes”.

Kryetari republikan shprehu gjithashtu nevojën që degët lokale të PR-së të perfeksionojnë performancën e tyre.