Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 14:39

Tiranë – “Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për menaxhimin e ujërave duhet rishikuar, sidomos për parandalimin e rreziqeve të mëdha që vijnë nga përmbytjet, apo thatësirat”, tha ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu, në konferencën rajonale për menaxhimin e lumenjve dhe pellgjeve ujore, të mbajtur ditët e fundit në Maqedoni.

Zyra e Shtypit e MMPAU njoftoi sot se në këtë takim shumë të rëndësishëm, merrnin pjesë ministrat e Mjedisit të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, ambasadori italian në Maqedoni, si dhe përfaqësues të shumë vendeve të tjera, si Turqia, apo Hungaria, të cilët sollën eksperiencën e tyre në këtë drejtim.

Kryefjala e këtij takimi ishte mirëmenaxhimi i ujërave, bashkëpunimi dhe projektet e përbashkëta mes vendeve fqinje, në mënyrë që edhe rezultatet të jenë të frytshme, përballë ndryshimeve klimaterike, të cilat tashmë kanë krijuar një gjendje sa vjen e më të paqendrueshme përsa i përket ujërave.

Ministri Mediu theksoi se “duhet patjetër që të bashkëpunojmë përsa i përket menaxhimit të integruar të ujërave, në kuadër të Direktivës Evropiane të Ujërave, por për të qenë edhe më konkretë në ndërtimin dhe analizën e politikave që ne tashmë kemi”.