Lajme Shqip Thursday, 03 October 2013 19:03

Mediat në Kosovë ndodhen në gjendje të rëndë. Në rrethana normale, siç do të duhej të ndodhte, mbijetesa e tyre, vjen përmes marketingut, i cili kryesisht vjen nga bizneset, të cilat përmes produkteve dhe shërbimeve të tyre, luftojnë për zotërim të tregut. Por në Kosovën me biznese që tregun mund ta zotërojnë vetëm me lidhjet e tyre me politikën, forma e marketingut ndryshon. Bizneset nuk reklamojnë por blejnë ose krijojnë media të tyre, për të sulmuar e për t’u mbrojtur, nga kush do që ua cenon tregun.

Një front i tillë është hapur së fundi, në mes të dy kompanive që ofrojnë shërbime të telefonisë mobile, Ipko dhe Z Mobile.

Siç dihet, Ipko prej vitesh financon Gazetën Express. Kjo e fundit dje botoi një shkrim në të cilin sulmon kompanin Devolli, e cila ka në pronësi telefoninë mobile Z Mobile, kompani të cilën Express e krahasoi me ato familjet mafioze si në filmin “The Godfather”. Sipas Express-it, Devolli ka kapur shtetin, duke u infiltruar në bizneset më fitimprurëse në vend, një pjesë të madhe të të cilave i ka futur në pronësi në mënyrë të paligjshme, përmes lidhjeve me politikën e korruptuar në vend. Sulmi i Express ndaj kompanisë Devolli vjen, pasi Ipko konsideron se janë pikërisht njerëzit e kësaj kompanie ata të cilët nuk po e lejojnë që të fillojë me rrjetin 3G, të cilin Ipko e ka gati, por jo edhe Vala dhe Z Mobile. Express thotë se është Ekrem Hoxha, drejtor i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), i cili është ish punëtor i kompanisë Devolli, i cili është duke e penguar Ipko’në që të startojë me rrjetin 3G prej fillimit të këtij viti.

 

Radha e Baton Haxhiut, i duhet ta mbrojë biznesin e “tij”

 

Por sikurse Ipko, edhe kompania Devolli ka mediat e saj. Është televizioni Klan Kosova i drejtuar nga gazetari Baton Haxhiu. Sikurse ka thënë edhe Express dje në shkrimin e tij, ky televizion tashmë de facto i është shitur familjes Devolli dhe shumë shpejt pritet që edhe studiot e Klan Kosovës të barten në hapësirat e ish-fabrikës së Amortizatorëve, e cila fabrikë po ashtu është në pronësi të Devollëve.

 

Por Haxhiu, nuk e ka përdorur televizionin për t’u dalë në mbrojte “ortakëve” të tij. Ai ka gjetur një formë tjetër, duke sulmuar nga tabori i mikut të tij, e jo nga Klani, sepse nëse do të vepronte kështu, atëherë konstatimit të Express se Klan Kosova është blerë nga Devollët më nuk do t’i mbetej vend për dyshim.

Baton Haxhiu, ka zgjedhur që “ortakëve” të tij, t’u dalë në mbrojtje, duke sulmuar nga një media që gjithashtu për mbeshtetes ka një biznesmen dhe politikan të fuqishëm. Bëhet fjalë për gazetën Tribuna, të cilën e mbeshtet zëvendëskryeministri dhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli.

 

Baton Haxhiu zgjodhi që sulmin mbrojtës, ta bëjë, duke kontestuar besueshmërinë e shkrimit  të Express, për të cilin në gazetën Tribuna shkruan se, “dy media e ridëshmuan se si nuk duhet të bëhet gazetari”. Kur i përmend dy media, e ka fjalën edhe për gazetën Zëri e cila botoi shkrimin e Express, e që gjithashtu është në pronësi të një biznesmeni, e që është Remzi Ejupi pronar i Kosova Airlines dhe EuroKoha.

 

Duke folur për shkrimin e Express, i cili është i shkruar duke u bazuar në burime, por jo në fakte të prezantuara, Batoni në Tribuna, ndër të tjera shkruan: “E paskan thënë “burimet tona“. Cilat janë ato? O burimet – o faktet, pa njërën nga këto s’ka informatë të besueshme. Ka vetëm dezinformatë, shpifje të qëllimshme”.

Batoni nuk ngurron të flasë për profesionalizëm e munguar në mediat e Kosovës, por nuk na tregon se sa profesionale është media të cilën ai drejton.

 

 (Lajmeshqip.com)