Lajme Shqip Thursday, 13 September 2012 15:25

Bruksel- Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka paralajmëruar takime me përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, transmeton KTV.

Ashton ka thënë se do t’i takojë Thaçin dhe Nikoliqin, por nuk dihet nëse takimi do të jetë i përbashkët. Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara fillojnë më 18 shtator.

Zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiç ka thënë për mediet serbe se temë e diskutimit do të jetë vazhdimi i dialogut mes të dyja shteteve.

“Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton do të bisedojë me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic, dhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, në New York”,- ka thënë Kocijançiç. (LajmeShqip.com)