Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 17:51

Prishtinë – Fatmir Sejdiun dhe Jakup Krasniqin, nuk i bashkon vetëm politika apo koalicionet qeveritare që kishin dikur partitë e tyre. Ka mundësi që pas tre muajsh, mund t’i bashkojë salla e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Amnistia ndaj disa të burgosurve, duke u bazuar në kompetencat që kishin, Sejdiu si President e Krasniqi si ushtrues detyre në këtë post, mund të çojë drejt ngritjes së aktakuzës ndaj tyre.

Burime të Express nga hetuesia tregojnë se me urdhër të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, tashmë ka nisur mbledhjen e të dhënave në lidhje me këtë çështje. “Mbledhja e të dhënave ka filluar nga niveli më i ulët, siç janë zyrtarët e shërbimit korrektues, për të vazhduar në Ministri të Drejtësisë”, thotë ky zyrtar i afërt me këtë proces.

Dyshimet e IKD-së për Fatmir Sejdiun -Në vitin 2010, Presidenti Fatmir Sejdiu kishte falur të dënuarën për Trafikim me Njerëz, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Ligjin për faljen. Instituti i faljes ka pësuar zhvlerësim të vazhdueshëm pasi që deri më tani janë falur të dënuar për vrasje mizore, vrasje të rënda, krim të organizuar, vepra të ndërlidhura me narkotikë, dhunim, si dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës. Është paradoks që të gjitha këto krime të falura nga presidentët kanë qenë prioritete të luftës së institucioneve shtetërore kundër krimeve më të rrezikshme për shoqërinë.

Dyshimet e IKD-së për Jakup Krasniqin-Deri më tani, përfituesit më të mëdhenj të faljes janë të dënuarit për vrasje dhe vrasje të rëndë, ku vetëm në vitin 2011, ushtruesi i detyrës të presidentit, Jakup Krasniqi ukishte falur 135 vjet të dënuarve të këtyre kategorive. Në raste të faljeve masive për një kategori të caktuar të krimit, sikurse ka ndodhur, do të ishte më e preferuar të aplikohej amnistia. Andaj, ndryshimet kushtetuese duhet të reflektojnë mbi nevojën për të futur amnistinë si kategori kushtetuese, sikurse është në shtetet e tjera. (Express)