Lajme Shqip Wednesday, 26 August 2015 07:58

Mediat beogradase raportojnë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

E përditshmja më e madhe serbe, “Blic” nënvizon se punonjësit në administratën e Asociacionit do të gëzojnë statusin e njëjtë me atë të punësuar në institucionet e tjera publike.

“Blic” njofton se Asociacioni do të jetë garanci për mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe forcimin ekonomik të serbëve në Kosovë, transmeton Indeksonline.

Sipas pikës tjetër, thuhet se qytetarët serbë të Kosovës do të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me Asociacionin.

Gjithashtu, thuhet se është vendosur një kornizë përmes së cilës Asociacioni do t’i zbatojë detyrat dhe përgjegjësitë e tij, e posaçërisht ato në fushat e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik dhe planifikimit hapësinor, transmeton reporteri.

Asociacioni do t’i përfaqësojë, kudo, interesat e komunave me shumicë serbe dhe popullsisë, raporton “Blic”. Më tej, thuhet se Asociacioni do të ketë një lloj parlamenti që do të votojë statutin dhe që do t’i ndërmarrë të gjitha vendimet administrative.

Në tekst thuhet se Asociacioni do të ketë përfaqësuesin e tij që do të përfaqësojë këtë trup kudo.

Pastaj thuhet se Asociacioni do të përbëhet nga 30 pjesëtarë nga radhët e përfaqësuesve më të shquar politikë të popullit serb dhe Kishës Ortodokse Serbë në Kosovë dhe se këshilli, i ndihmuar nga administrate e Asociacionit, do të jetë përgjegjës për zbatimin e suksesshëm të detyrave ditore.

Në artikullin e të përditshmes beogradas theksohet së punonjësit në administratën e Asociacionit do të gëzojnë statusin e njëjtë me atë të punësuar në institucionet e tjera publike.

Tutje thuhet se Asociacioni nuk do t’i nënshtrohet detyrimeve të caktuara tatimore dhe obligimeve të ngjashme që mund të ndikojnë në funksionimin e tij.

Në fund thuhet se Asociacionit i është njohur e drejta që të financohet drejtpërdrejtë edhe nga qeveria serbe.